Ekspertët e fushës së sizmologjisë kanë bërë me dije se nuk ka asnjë arsye për panik pas deklaratave të presidentit Ilir Meta lidhur me një tërmet të pritur në Ballkan, duke thënë nga aspekti shkencor, është e pamundur të parashikohet një tërmet.
Këtë parashikim e ka quajtur të pavend edhe Hamza Reçi, dikur student i shkencëtarit grek Akis Tsenelis, të cilit i referohej Meta në një letër të hapur ku parashikonte një “fatkeqësi tërmetesh në Ballkan”.
Përmes letrës, Meta bëri përpjekje për të mobilizuar vendin përballë asaj që ai e përshkroi si “apokalips”, duke bërë thirrje për ngritje ekipesh të shpëtimit dhe fatkeqësive.
Deklaratat e Metës bënë që sizmologu Reçi të dalë me mendimin e tij shkencor, ku thotë se “Ballkani zonë tërmetesh, por megjithatë nuk ka vend për panik”.
“Është e pamundur të parashikohen tërmetet nga pikëpamja shkencore. Nuk mendoj që profesori Akis Tsenelis të këtë bërë këtë deklaratë pasi del kundër një fakti aktual shkencor”.
Tërmetet më shkatërruese që goditën botën në vitet e fundit nuk kanë dhënë asnjë paralajmërim, ndonëse debati nëse ato janë të parashikueshme apo jo zhvillohet brenda qarqeve shkencore. Përfshirja e një presidenti në shkencën e sizmologjisë paraqet një risi tjetër për vendin tonë.
Sipas USGS, instituti lider botëror që studion tërmetet, është e pamundur që shkencëtaret e USGS-së apo çfarëdo shkencëtari tjetër të parashikoj një tërmet, dhe se kjo nuk ka ndodhur as në të kaluarën as në të tashmen. Madje, sipas këtij instituti, edhe debati mes shkencëtarëve është mjaft i thatë, pasi aktiviteti i brendshëm i tokës është shumë pak i njohur mbi të. (tesheshi)