Gazment Bardhi ka “prerë kokat e socialistëve” për tu shfaqur i vetëm në një fotografi me zyrtarin amerikan Aleksandër Kasanof. Fotografia mbërriti në faqet e mediave dhe rrjetet sociale si lajmërim i një takimi të nivelit të lartë në dukje, mes kreut të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhit dhe zv.ndihmës sekretarit amerikant të Shtetit, Aleksandër Kasanof.
Bardhi publikoi foton me Kasanof në Instagram, ku shkruante se ishte fat i madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria gjithmonë kanë qenë krah njëra-tjetrës. Edhe pse kryetari i partisë ku aderon, Sali Berisha është shpallur non grata nga institucioni ku Bardhi publikoi foton.
Pasi Bardhi postoi foton e tij të zbukuruar me zyrtarin amerikan, deputeti socialist Damian Gjiknuri, ndau të njëjtën foto (të pa edituar) nga e njëjta vizitë, ku shfaqeshin të gjithë deputetët e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, i përbërë nga dy deputetë socialistë dhe një demokrat, Gazment Bardhi.
Fotografia reale është ajo ku shfaqet Gazment Bardhi në krah të ambasadorit shqiptar në SHBA Ervin Bushati, në mes zyrtari amerikan dhe në krahun tjetër dy deputetët e PS-së Damian Gjiknuri dhe Blerina Gjylameti.
Kjo fotografi e retushuar e Bardhit na tregon edhe një herë përpjekjen e politikanëve të opozitës por edhe të tjerë, për ti shitur fotografitë e tyre me zyrtarë nëpër holle a koridoret e zyrave të ndryshme, si mbështetje nga departamenti amerikan i shtetit.