Nga “SKAP-i i Partisë” te thirrjet për pavarësi dhe efikasitet të SPAK-ut. Brenda pak më shumë se dy vitesh, qëndrimi publik i Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, ndaj reformës në drejtësi dhe ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, ka kaluar nga anatema politike dhe kulmoi sot çuditërisht në një postim mbështetës.
Gazeta TemA bëri një vëzhgim të shpejtë vetëm në disa prej postimeve të Mulit në rrjetet sociale.
Më 24 tetor 2023, Noka e cilësonte strukturën e posaçme si “SKAP-i i Partisë”, duke folur për “inskenim kryekëput të një akuze politike” dhe duke e krahasuar klimën e hetimeve me “gjyqet e shokut Aranit”. Më 3 janar 2025, retorika ashpërsohet edhe më tej. Reforma në drejtësi etiketohet si “Soros Drejtësi” që “po përfundon në Surrogato Drejtësi”, ndërsa prokurorët përshkruhen si “mercenarë të verbër që i shërbejnë narkoshtetit”. Edhe më 7 gusht 2025, sulmet vijonin.
Noka akuzonte SPAK-un për heshtje selektive në çështje të caktuara dhe për nxitim politik në të tjera, duke e përshkruar Altin Dumanin si “ushtar të porsaurdhëruar” që “ka dalë me shpatën e Ramës”.
Ndërkohë sot, më 26 shkurt 2026, toni ndryshon ndjeshëm. Në një postim publik, Noka shpërndan deklaratën e eurodeputetit Andrey Kovatchev në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, ku theksohet se “institucione si SPAK duhet të veprojnë të pavarura dhe në mënyrë efeciente, të lira nga presioni politik” dhe se “zbatimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv”.
Pra, i njëjti institucion që deri dje quhej “SKAP i Partisë” sot përmendet si garanci e luftës kundër korrupsionit. Rasti i Mul Nokës është një ilustrim i këtij ndryshimi, ku deputetë të PD që ekanë sulmuar Prokurorinë e Posaçme në mënyrë të përbindshme shndërrohen nga kundërshtarë frontal të SPAK-ut në zëra që sot flasin për domosdoshmërinë e mbrojtjes së pavarësisë së tij. /TemA








