Ditën e sotme opozita e vendit bllokoi katër arteriet kryesore të vendit duke paralizuar qarkullimin rrugor për disa orë.
Në Tiranë zgjodhën ta bllokojnë duke e mbrojtur fizikisht, në Elbasan duke djegur goma dhe hedhur benzinë, Milot duke u përplasur me policinë ndërsa në Çermë duke vendosur disa makina.
Kanë qenë të shumtë qytetarët që janë indinjuar me këtë formë proteste pasi përveç se humbën punën, angazhimet apo impenjimet mbi problemet familjare, nuk mundën t’i shërbejnë dot demokracisë së vendit të tyre.
Protestat janë të shëndetshme kur i drejton shoqëria dhe në momentin që flamuri i delegohet politikës, kauza merr ngjyra të tjera.
Kushdo mund ta pyesë veten nëse kjo sakrificë mund të konsiderohet si një shërbesë ndaj demokracisë.
E si mund t’i shërbesh demokracisë kur në Vorë rrugën e bllokon kryedemokrati Lulzim Basha, kryerepublikani Fatmir Mediu dhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule?
E si mund t’i shërbesh demokracisë kur në Milot deputeti pasanik Flamur Noka zgjedh të xhirojë gomat e makinës së tij mijëra dollarëshe dhe më pas të sensibilizohet me varfërinë?
E si mund t’i shërbesh demokracisë kur në Elbasan aksin kryesor e bllokon rrugën Monika Kryemadhi e cila tetë vite në pushtet heshti përpara fakteve që kujton sot.
Protesta është gur prove për çdo shoqëri demokratike, por sot ai gur ndryshe nga dje ra mbi ata që e rrëmbyen në Kukës dhe e shkërmoqën deri sa e sollën në Tiranë.