Gjermania bëri lojën, Franca mori fitoren. Kështu mund të përkufizohet dueli i mbrëmshëm i luajtur në Paris midis “Gjelave” dhe “Pancerave”, fituar nga francezët 2-1. Një ndeshje e madhe për gjermanët, që kishin aktivizuar në fushë shumë të rinj, luajtën mrekullueshëm sidomos në pjesën e parë, por eksperienca, qëndrueshmëria fizike dhe elementi fushë, por edhe një super Griezman, i dhanë avantazhe Francës që e fitoi këtë duel dhe shihet favorit për ta fituar Ligën e Kombeve.
Ndeshja
Franca, kampione e botës, priti mbrëmë Gjermaninë në “Stade De France”, ku dy emrat e mëdhenj të futbollit europian dhe atij botëror zhvilluan një superduel. Pritej të ishte një ndeshje e zjarrtë dhe ashtu ndodhi, për shkak se pozitat e Gjermanisë në grupin e parë të Ligës A ishin vështirësuar së tepërmi dhe rrezikohej një rënie nga grupi e “Manshaftit” si dhe shkarkimi i trajnerit Joakim Lëv. Në duelin e djeshëm kundër francezëve, të cilët luajtën pothuajse me të njëjtin formacion që kishin në finalen e Botërorit, trajneri i Gjermanisë Lëv aktivizoi shumë të rinj që vinin nga ekipi Shpresa, pa harruar sulmuesin e Sitit Leri Sane.
Kishte bërë disa ndryshime të rëndësishme në formacion dhe në skemën taktike dhe pikërisht kjo skemë e nxori Francën nga binarët në pjesën e parë. Toni kros ishte dirigjenti, ndërsa në krah shpërthenin të rinjtë e papërmbajtshëm, që e çanë mbrojtjen franceze nga krahët dhe në qendër duke krijuar raste të shumta shënimi. Loja ishte e bukur dhe me sulme e kundërsulme nga të dy kampet, duke bërë që kjo përballje të shndërrohej në spektakël. Në minutën e 14-të vjen një moment i diskutueshëm, kur topi i kthyer në zonë nga Kimiç preket me dorë nga Matuidi dhe gjyqtari akordon penallti. nga pika e bardhë godet saktë Kros dhe shënon për Gjermaninë, 1-0. Franca përpiqet të reagojë me Griezman, Zhirud dhe Mbape, por nuk ia del, sepse mbrojtja gjermane ka efikasitet dhe është e vëmendshme, ndihmuar dhe nga daljet e sigurta të Nojer.
Statistikat e ndeshjes në pjesën e parë, folën tërësisht për Gjermaninë, dhe sidomos domethënës ishte numri i korneve 5-0 dhe mbajtja e topit 61%-39% në favor të gjermanëve. Në pjesën e dytë francezët rritën presionin dhe duke parë rënien fizike të Gjermanisë, ia dolën jo vetëm të barazonin por edhe ta fitonin takimin.
Ishte pikërisht Antuan Griezman që barazoi me kokë në minutën e 62-të, pas një krosimi perfekt nga krahu i majtë i sulmit. Goli i çliroi francezët dhe futi në kolaps gjermanët. Në minutën e 80-të vjen dhe goditja e rëndë për ekipin e Lëv, pasi ndërhyrja e Humels ndaj Zhirud iu cilësua e parregullt. Nga pika e bardhë e 11-metërshit Griezman u tregua i saktë dhe shënoi golin e fitores. Pra 2-1 për Francën, e cila kap kreun e grupit, ndërsa Gjermania pëson disfatën e radhës dhe vihet seriozisht në pikëpyetje pankina e trajnerit Joakim Lëv, shkarkimi i të cilit është çështje orësh.
Adriatik BALLA