Njazi Seferi nuk do të jetë më pjesë e sistemit të Drejtësisë. Ai ka dhënë dorëheqjen edhe pse ishte subjekt i rivlerësimit nga komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Por, pavarësisht nga kjo, Seferi, pasi u njoh me dosjen dhe kohën në dispozicion për paraqitjen e provave ka bërë zgjedhjen më ekstreme në këto raste.
Ai ka dhënë dorëheqjen, kërkesë e depozituar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Seferi e ka justifikuar dorëheqjen me arsye shëndetësore. Në datën 27 shtator 2019 Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Etleda Çiftja Relatore dhe Suela Zhegu në prani edhe të vëzhguesit ndërkombëtar, Branko Hrvatin, ka njoftuar prokurorin se ka barrën e provës për të provuar të kundërtën e rezultateve të hetimit mbi pasurinë e tij dhe pastërtinë e figurës. Për të dhënë versionin e tij, KPK i kishte lënë afat prokurorit deri në datën 8 tetor 2019.
Sipas vendimit të KPK, prokurori, ditën që është njohur me dosjen, ka paraqitur dorëheqjen nga funksioni pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për arsye shëndetësore.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në 2.10.2019 ka njoftuar Komisionin e Vetingut se ka vendosur të miratojë kërkesën e dorëheqjes së magjistratit Njazi Seferi. Në këto kushte, Komisioni i Vetingut ka vendosur të ndërpresë Vettingun për Njazi Seferin si dhe t’i heqë të drejtën për t’u bërë pjesë e drejtësisë për 15 vjet.