Frikë për Evan Ndicka. Qendërmbrojtësi i Romës në Serie A, në minutën e 69-të të ndeshjes ndaj Udineses, preku dy herë gjoksin dhe më pas u rrëzua përtokë. Arbitri Pairetto ndërpreu menjëherë lojën, duke lejuar kështu mjekët dhe barelën të futeshin në fushë.
Mbrojtësi 24-vjeçar nga Bregu i Fildishtë ishte me topin larg tij kur ndjeu dhimbje në gjoks dhe u ndihmua menjëherë nga shokët e skuadrës, me Svilar që tërhoqi vëmendjen e arbitrit.
Në fushë ka ndërhyrë edhe stafi mjekësor me defibrilator, ku lojtari është larguar me barelë duke tundur dorën. I ndërgjegjshëm, ai u transportua në dhomat e zhveshjes aty ku edhe Daniele De Rossi nxitoi për të kontrolluar gjendjen e tij.
Në një atmosferë të tensionuar, arbitri Pairetto vendosi të pezullojë përfundimisht ndeshjen në minutën e 77-të. Në Udine, ndeshja ndërmjet Udineses dhe Romës nuk do të vazhdojë, sepse lojtarët në fushë ishin shumë të frikësuar nga ajo që i ndodhi Ndickës.
De Rossi, i kthyer në fushë nga dhomat e zhveshjes, bëri të ditur se lojtari ishte i vetëdijshëm, por shokët e skuadrës nuk kishin dëshirë të vazhdonin. Pairetto, pas një mbledhje me kapitenët dhe lojtarët e tjerë në fushë, më pas vendosi të pezullojë përfundimisht ndeshjen në minutën e 77-të. Ndeshja, e cila do të duhet të rikuperohet, do të rifillojë 1-1 me 13 minuta lojë të mbetura, pa shtesën.