Gazetari dhe analisti Frrok Çupi ka analizuar situatën politike të ditëve të fundit, pjesë e së cilës është bërë padyshim dhe Vetëvendosja e Kosovës.
Ardhja e këngëtarit Bregoviç solli mjaft debate, ndërsa nuk munguan as sulmet me kapsolla e gaz lotsjellës.
Gazetari Çupi ka analizuar sjelljet e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, i cili po ndërhyn në politikën e Shqipërisë. Sipas tij, ai është bërë grup me Metën dhe Berishën, duke i fryrë gjithmonë zjarrit të konfliktit. “Nga këta të katërt, një e gjysmë janë në jetë… Këta janë Ilir Meta, Sali Berisha, Lul Basha dhe Albin Kurti. Secili prej tyre është një tip më vete, por të katër së bashku bëjnë “një”.
“Si një trup i vetëm” janë bashkuar për t’i ndërruar drejtimin zhvillimit të Shqipërisë nga “përpara” në një drejtim tjetër. Taktika që kanë zgjedhur është konflikti; konflikt sa më i gjerë dhe i thellë brendapërbrenda kombit”, shprehet Çupi. Më tej ai ka përmendur luftën e madhe që bënin Vjosa Osmani dhe Albin Kurti për traun te “Rruga e Kombit”.
“Harta e konfliktit është spostuar nga një konflikt “tironc”, domethënë në bulevardin e madh të kryeqytetit ose rreth selisë së qeverisë dhe selisë së Parlamentit, në një konflikt që figurshëm mund të kodifikohet si “konflikti i Kalimashit”.
Tani nuk ka më gjurmë konflikti në Tiranë, sepse këtu ndodhet “Amerika”. Nuk e mbani mend pse aq shpesh dyshja kosovare Kurti-Osmani urdhëronin për hapjen e “traut të Kalimashit”, urdhër që dukej sikur ata të dy ishin edhe qeveri e shtetit të Shqipërisë?!
Ëndrra për të zaptuar kreun e qeverisjes së Shqipërisë rri natë e ditë zgjuar tek entourage i Kurtit të Kosovës”, shprehet ai.
Ndikimi amerikan
Sipas Çupit, ajo e cila i bën ata bashkë, është qëllimi për të rrëzuar qeverinë “Rama”. Sipas tij Meta, Berisha dhe Kurti mendojnë se duke rrëzuar Ramën i japin fund influencës së SHBA. “A do të jetë e armatosur apo jo, ushtria e Albin Kurtit, kjo nuk ka rëndësi. Puna është se në njëmijë mënyra përgatit sulme kundër qeverisë së zgjedhur me votë në Tiranë. Arsyetimi i vetëm i luftës është se “duhet të mos jetë Edi Rama”. Pse? Pse është nga Jugu i vendit dhe Kurtit i duhet një nga katundi i vet, siç është Berisha?
As kjo nuk është thelbësore. Thelbi është që të rrëzohet Rama si një garant i reformës në drejtësi dhe i besuar i Amerikës. Grupimi ku mbështetet plani për rrëzimin e qeverisë “Rama” dhe për të dëbuar influencën e Amerikës, mund të quhet si në letërsi “Brezi i humbur””, shprehet ai. Sipas gazetarit, nëse punët me mendjen e Kurtit do të marrin këtë vijë, atëherë herën tjetër nuk do të flitet më për një “konflikt permanent Serbi- Kosovë”, por për një konflikt Kosovë-Shqipëri. Çupi shprehet se konflikti mes shqiptarëve në të dy shtetet e tyre, do të ishte tragjike, do të “fshijnë” historinë e re të hapjes dhe të demokratizimit në mbarë kombin.
“Në këtë pozitë janë së bashku të katër: Berisha, Meta, Luli dhe Kurti. Çfarë janë këta të katër? Berisha dhe Meta janë duke perënduar përjetë; pritet do të vihen para Drejtësisë për krimet dhe korrupsionin e kryer. Basha i PD, një kukull e Berishës, ka disa dosje korrupsioni dhe krimi; por pritet si do të reagojë. Atij i kërkohet që të mbajë anën e Drejtësisë dhe të Perëndimit. Sot për sot është vetëm “gjysmë”, me Albinin bëhen një e gjysmë. Nga të katër, mbeten dy “të vdekur” dhe një e gjysmë në jetë”, tha ai.