Analisti dhe gazetari i njohur Frrok Çupi, dje ka komentuar “Foltoren” e ish-kryeministrit Sali Berisha në qytetin e Pogradecit. Çupi tha, se “Foltorja” është një revoltë popullore që Berisha po e ngre kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe “të pabesëve” në PD.
Sipas analistit, lideri i “Foltores” nuk do t’ia dijë për asgjë veçse hallit të tij. “Prej kohësh, mes atyre që mbushin foltoren e Berishës, ka nisur një revoltë e egër kundër bullizmit. Dikush, një herë, paska thënë në media se atje janë mbledhur disa budallenj, ose llumi.
E gjithë revolta “popullore” foltorase është mbledhur në këtë pikë; ndërsa revolta e liderit i drejtohet tjetërkujt: Sa Shteteve të Bashkuara, aq edhe “të pabesëve” në PD. Këtu është vija ndarëse: “Populli” i foltores as e ka idenë se cili është George Soros e çfarë bën ai, por ka hallin që të mos i quajnë “budallenj”, ndërsa vetë lideri i “Foltores” nuk ka hallin e askujt veçse hallin e vet”, tha Çupi.
Analisti u shpreh, se shokët e ngushtë të ish-kryeministrit që mblidhen në “Foltore” janë ministra të tij e drejtorë. Ai tha, se po të mos shkojnë në “Foltore”, kallëzohen nga brenda. Sipas Çupit, kur çadra e foltores të shkrihet, ata do të bëjnë sikur nuk kanë qenë në atje.
“Këtu në foltore po mblidhen “shokët e ngushtë” të Berishës. Këta janë ministra të tij, zëvendësministra, drejtorë, të gjithë ata që po të mos shkojnë në “Foltore” kanë frikë se do të kallëzohen nga brenda për korrupsion. Shumica e tyre nuk vijnë në “fshat” veçse bëjnë isharete nga larg: Në momentin kur “çadra e cirkut” do të shkrehet, këta bëjnë sikur nuk kanë qenë në foltore. Basha është shpallur “besëprerë” në fshat”, tha ai.
Analisti tha se Berisha e ka ndërtuar pushtetin valë-valë duke pasur edhe më shumë se ata që votoheshin. Çupi u shpreh se edhe fëmijët e tij kanë pasur pushtet në të gjithë vendin pa pasur votë. Sipas tij, nuk dihet sa do të mbrohet Berisha me “Foltoren” si bunker”, tha ai.