Analisti Frrok Çupi ka komentuar disa nga ngjarjet më të bujshme që ende nuk janë zgjidhur sot në Shqipëri. Çupi në një intervistë për gazetën ka nxjerrë për herë të parë disa detaje tronditëse pak momente përpara se ish-deputetin demokrat Azem Hajdari ta vrisnin. Ai tha se Hajdari kishte dijeni se Sali Berisha kishte në plan ta ekzekutonte. Çupi ka folur gjithashtu dhe për Sokol Olldashin dhe Kosta Trebickën. Ai i quan të dyja vrasje të mirëorganizuara. Gjithashtu, Çupi ka folur dhe për hapjen e dosjeve, por edhe për paralajmërimet e SHBA për arrestime në Shqipëri nga drejtësia e re.
-Z.Çupi, Izet Haxhia u dënua pak ditë më parë me 21 vite burg, avokati i tij mbrojtës akuzoi gjyqtarët si kamikazë të Sali Berishës, si e komentoni këtë zhvillim?
Sot për sot nuk mund tu besosh as gjykatave, as gjyqtarëve, as prokurorëve. Ata që nuk e kanë marrë Vetingun, ata japin gjithë padrejtësinë e botës për një grusht euro. Edhe ata që e kanë marrë Vetingun, shumë prej këtyre, ndjehen të lirë të mbushin grushte me euro se gjithçka ka mbaruar. Kjo është ndjesia e parë që më vjen. Por nga ana tjetër nuk mund të mos mendoj se Izeti ka gisht në vrasjen e Azemit, por me porosi të ‘bossit’. Berisha i jepte urdhrat për eliminime me një lëvizje gishti, ose lëvizje hunde, ose me një dorë të shkuar në ballë… Izeti e ka besuar Berishën si zotin dhe nuk ka mbajtur asnjë provë…
-Ka shumë persona që e akuzojnë Sali Berishën si vrasës të Azem Hajdarit, mes të cilëve dhe vetë Izet Haxhia i dënuar si i përfshirë, a ka gisht Sali Berisha në eliminimin e tij? Si e kujtoni ju atë ditë…
Ju, sigurisht, po flisni për datën 12 shtator 1998, kur u vra Azemi. Ajo ishte një nga ditët kur Azemi ishte planifikuar për t’u eliminuar. Azemi vetë kishte shpallur se i ruhej Berishës sepse ky do ta vriste. Azemi sajonte greva urie në shtëpi pikërisht ditët kur kishte informacion se Saliu do ta vriste. -Ç’ne grevë urie në shtëpi, Azem!, i thashë një herë. Bota ka vëmendje dhe thonë se ‘në shtëpi ju hani e pini, ç’është kjo grevë urie!’. -E di- më tha Azemi, e di, por do të më vrasë ai… Azemit i kishte hequr edhe imunitetin Parlamentar dhe e kishte bërë gati që ta qëllonin.
Vrasja e Azem Hajdarit është e qartë si në dritën e diellit, kushdo që do ta kuptojë… Azemi kishte edhe një varësi nga Berisha, si nga droga…Ndoshta e bënte këtë edhe nga frika pasi e dinte çfarë rreziku e priste. Por çfarë desha të them është se vini re: Kemi jetuar në një periudhë të ‘filmave Ëestern’, me kaubojs. Kaubojsi Berisha ngriti regjimin e vrasjeve sipas fisit, sipas armiqësisë, sipas frikës. 200 djem të rinj eliminoi në Tropojë, në fshatin e tij. Më vjen të përsëris thirrjen primitive të kaubojsit Berisha:
“Biem në Tiranë e vritemi mes nesh’. Kështu ka bërë Berisha. Këtu në Tiranë apo rrethina janë vrarë mes njeri tjetrit. Berisha nuk mund t’ia besonte tjetër kujt vrasjen e Azemit, veçse një tropojani. Çfarë tmerri ka parë kjo tokë: Berisha aplikoi metodën e vrasjeve në shtet, pa ligj e pa prift e hoxhë, veçse i bënin hije Berishës. As në fiset më të egra të rruzullit nuk ndodh kështu. O zot që i jemi larguar asaj kohe.
-Le të kalojmë tek zhvillimet politike. Sali Berisha ka vulosur zyrtarisht bashkëpunimin me Ilir Metën, si e shihni këtë lëvizje?
E shikoj si në periudhën e fillimit të diktaturës komuniste, por në invers. Klasa e rënë e asaj kohe u mbyll në bodrume, duke pritur ditën e gjyqit. Në inversin e saj, kjo ngjason tani. Këta përbëjnë ‘klasën’ dhe të rënët nga vakti, që tani presin të dalin para gjyqit për korrupsionin dhe minimin e demokracisë. Atëherë, të rënët nga vakti, martoheshin mes veti; nuk kishin asnjë mundësi me të tjerët. Edhe Saliu e Meta do të ‘martohen’ mes veti, nuk kanë rrugë tjetër. Ja ky është bashkëpunimi, lidhja mes të humburve.
-Autoriteti i Dosjeve së fundmi ka deklaruar se Ilir Meta dhe 5 politikanë të tjerë rrezikohen të përjashtohen nga politika, mendoni se ka të tjerë spiunë në Kuvendin e Shqipërisë?
Fakti që presidenti i Republikës ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, më bën të mendoj se ‘piramida mbahej mbi disa shkallë të tjera më të ulëta’, dhe këta janë politikanë poshtë tij. Besoj se ka prapë. Por tashmë dëmi është bërë; këta duhet të dërgohen para Drejtësisë për dëmin bërë. Por mbi të gjitha, duhet të hapen dosjet sa më parë.
-SHBA i ka treguar prangat së fundmi Berishës, Eskobar kërkoi që institucionet shqiptare të nisin hetimet. Mendoni se Berishës i ka ardhur fundi?
Sali Berishës i ka ardhur fundi, i është shpuar fundi…, dhjetëra herë. Ai tani ështësi një letër duhani që e merr era rrugëve të Tiranës. As duhet konsideruar. Por ka shumë para tëpaligjshme. E shikoni, kontrollon medie, kontrollon gjykatës e prokurorë, kontrollon militarë…, pa i paguar këta nuk ia varin Berishës. Organet e Drejtësisë po i shkaktojnë një tragjedi të pashoqe vendit tonë, duke e shtrembëruar të drejtën dhe duke zvarritur ditën kur Berisha e Meta të jenë ‘te vendi’.
-Nga ana tjetër në zhvillimet e fundit politike ka bërë bujë deklarata e vëllait të Sokol Olldashit. Ky i fundit akuzoi Berishën se vodhi zgjedhjet e 2013 duke kërcënuar dhe krerët e degëve të asaj kohe. Si i komentoni këto deklarata, pasi aksidenti i Olldashit është ende një mister?
Sokol Olldashi ishte në politikan i ri, dinamik, i llojit tjetër nga Basha, Berisha e Argita. Po të jetonte, PD nuk do të kishte këtë fat- këtë e them me plot vetëdije. Kur po zhvilloheshin zgjedhjet në PD në vitin 2013, Berisha lëshoi gjithë ‘urdinë’ e tij, gjithë administratën e PD kundër Sokolit. Paska folur vëllai i Sokolit?… Nuk e dija. Po të flasë një vëlla i Sokolit duhet të flasë e të mos pushojë një jetë. Si u vra Sokol Olldashi, është i qartë krimi. U vranë njësoj si edhe Kosta Trebicka, si në sallën e operacionit: Në rrugë të mirë, me trupa të gjymtuar por pa pikë gjaku, me makinë pa asnjë gërvishtje por makina kishte ‘bërë aksident’… Llahtar.
-Çfarë qëndron sipas jush në shtyrjen e gjyqit të PD në datën 10 nëntor?
Ose gjykatësit kanë frikë të vendosin jo sipas stomakut të Berishës… Ose ndonjëri prej tyre nuk e ka kryer akoma pazarin… Ose mund të ketë edhe argument gjyqësor: Që nuk ka nevojë për një vendim të dytë, përderisa PD është ajo PD e regjistruar ligjërisht me kryetar Lulzim Bashën.
-Berisha ka paralajmëruar protestë në datën 12 dhe ka kërcënuar kryeministrin Rama se do e nxjerrë nga zyra, çfarë po synon në të vërtetë Berisha?
Vetëm nëse ‘nxjerr nga zyra’ Edi Ramën, ose nëse pushton Amerikën, atëherë mund të shpëtojë Sali Berisha. Këtë e ka për jetë a vdekje, për vete dhe fëmijët dhe militantët e ngushtë. Edhe në ëndërr shikon ‘vdekjen’ e Ramës e të Amerikës.
-Se fundmi është marrë në pyetje Petrit Ahmeti, aktualisht kryetar i bordit të Entit Rregullator të Energjisë, i cili ka qenë këshilltar i ERE në kohën kur u arrit marrëveshja mes CEZ dhe DIA për mbledhjen e borxheve. Si e komentoni këtë zhvillim?
Është një zhvillim që tregon se dosja e tmerrshme po hetohet. Këtë dosje e ka kopsitur mrekullisht mirë avokati Romeo Kara; është gati. Në CEZ-DIA është një varrezë e madhe parash dhe kockash njerëzorë.
-Nga ana tjetër, Yuri Kim ka “zbarkuar” ditët e fundit në SPAK dhe ka paralajmëruar ditë të zeza” për korruptuarit dhe kriminelët,mendoni se po përgatiten arrestimet “VIP”?
I kam ndjekur gjithë lëvizjet e Ambasadores Yuri Kim. Kam kuptuar sa i thellë është korrupsioni në gjykata e prokurori. Korrupsioni më i dukshëm është kur prokurori i SPAK thotë se ‘jemi të kërcënuar’. Por ndërkohë nuk arreston asnjë nga ata që kërcënojnë. Po unë e ti si qytetarë të lirë, çfarë të bëjmë kur na kërcënojnë? Të blejmë lule për kriminelin? Nuk kanë ku shkojnë VIP- at e korruptuar e kriminalizuar, veçse drejt SPAK. Rrugën për në Drejtësi e kanë si ‘rrugën e miut’.
Intervistoi: Rigels Seliman