Analisti Frrok Çupi, ka folur sa i përket zhvillimeve në PD. Në një intervistë televizive, ai deklaroi se është bërë një gabim për Lulzim Bashën që është krahasuar me Berishën.
Sipas tij, Basha ka mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe të ligjit, pavarësisht se simpatizantët e Berishës po votojnë për shkarkimin e tij.
“Nuk ka asnjë lidhje mes Bashës dhe Berishës. Basha njihet botërisht dhe nga ligji si kryetar i PD. Fakti që Escobar erdhi në Shqipëri dhe e eliminoi madje dhe presidentin, dhe tha se Sali Berishën kurrë Amerika nuk do ta pranojë, në të njëjtën kohë ftoi Bashën në SHBA, tregon shumë.
BE uroi sot në përvjetorin e PD, Lulzim Bashën. Tubimi i Berishës ishte i pavlerë. Tubimit të Sali Berishës nuk i duhet dhënë asnjë vlerë”, tha Çupi. Sipas tij, këto janë momente vendimtare edhe për shtetin dhe drejtësinë. Çupi theksoi, se duhet hetuar lidhur me financat që u përdorën.
“Shteti dhe drejtësia janë në provë, duhet hetuar krimi dhe lidhja me atë tubim dhe financat krimanele”, tha ai. Për analistin Frrok Çupi, Sali Berisha është sipas tij, gjëja më e zezë që i ka ndodhur popullit shqiptar gjatë udhëtimit nëpër shekuj.
Duke komentuar Kuvendin që u mbajt në stadiumin “Air Albania”, Çupi tha se ish-kryeministri është pozicionuar qartë kundër SHBA, pasi e krahasoi Uashingtonin me Moskën. “Fjalimi kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës e çimentos Sali Berishën qartë kundër SHBA. E krahasoi Uashingtonin me Moskën.
Ai zhvlerësoi tërësisht rolin primar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky ishte qëllimi shumë i zi i Berishës, por që rendon edhe mbi pjesëmarrësit në atë takim. Populli shqiptar pati fatin e keq që në udhëtimin e tij takoi Sali Berishën. Dhe ky ishte udhëtimi më i zi. Nëse nuk do kishim Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ishim duke vuajtur në mizorinë e një shqiptari. Për fat të mirë sot ai nuk ka më asnjë vlerë”, tha Çupi.