Nga Mero Baze
Edi Rama ka mbajtur një fjalim që zëvendëson një program elektoral.
Në ditën që mbaroi luftën për mandatin e tretë, ai kërkoi paqe me Partinë Demokratike, opozitën më të madhe të konsoliduar në vend, e cila nuk është tamam një ftesë për bashkëqeverisje, por një ftesë për bashkëpërgjegjësi për çështje të mëdha të vendit, si dhe një qasje të re opozitare.
Të njëjtën ftesë ja ka përsëritur disa herë në fushatë, çka shumë vetë e interpretonin si diversion.
Në të vërtetë, ajo është një ftesë për një politikë të re qeverisje, që kërkon përgjegjësi dhe nga pala tjetër. Dhe është një gjë që i shkon mandatit të tretë, i cili duhet të shmangë frymën e dëshpërimit pa fund të opozitarëve, që besojnë se politika e konfliktit të Berishës është sukses.
Nuk është sukses dhe këtë e di dhe Berisha. Politika e konfliktit vlen kur e di që humbet dhe kërkon të formosh një pakicë besnike. Kur do që të fitosh, duhet të bindësh qytetarët në paqe.
Vetë Berisha, kur deshi të vinte në pushtet më 2005, e nisi paqen me Fatos Nanon, qysh më 2002. Dhe më lehtë e kishe të shaje Topallin apo Boden tek zyra e Berishës, se sa Fatos Nanon.
Ftesa e Edi Ramës është ftesë nga pozitat e të fortit, dhe jo nga dikush që kërkon mëshirë. Ai ka i vetëm 75 mandate, dhe plot të tjerë të gatshëm që mund t’i bashkohen, por që nuk i duhen.
Ai nuk ka më nevojë për numra, por për reforma për të transformuar shoqërinë tonë, nga një shoqëri politike primitive dhe konfliktuale, në një shoqëri normale, ku politika të në marrë vetëm një muaj në katër vjet, dhe jo katër vjet për të na bërë trima që vrasim një muaj.
Sot më shumë se kurrë, kjo ftesë nuk është më për Lulzim Bashën, pasi ai nuk e ka më të qartë fatin e tij në parti.
Ikën apo rri ai, ajo ftesë vlen për Partinë Demokratike, vlen për kulturën e re opozitare që ka nevojë Shqipëria, dhe mbi të gjitha, vlen për të kuptuar arsyen përse kanë humbur.
Shikoj njerëz të familjes Berisha, zëdhënës të tyre në shtyp, dhe shërbëtorë të tyre, që po nxisin Lulzim Bashën të mos njohë zgjedhjet dhe të dalë në rrugë etj broçkulla.
Janë të njëjtët që e morën më qafë duke e nxitur të djegë mandatet e të braktis zgjedhjet lokale. Janë të njëjtët që pasi e lanë rrugëve, i kërkonin llogari pse nuk fiton.
E pashë të rrethuar nga humbës që deklarohen si fitimtarë, nga Xhelal Mziu, që në Dibër për 200 vota humbiste mandatin, nga Gazmend Bardhi që për 70 vota mund t’i kishte dhënë PS-së 9 mandate etj. Kjo është të gënjesh veten, nëse shkon me mendtë e tyre.
Mund t’i dëgjojë përsëri, por është problem i tij, jo i shqiptarëve. Shqiptarët e kanë parë me sytë e tyre, se nuk ndodh asgjë nëse ai vazhdon shkollën e Berishës së viteve ‘90. Thjeshtë në zgjedhjet e tjera s’do gjejë dot as komisionerë.
Ndoshta fitorja e Edi Ramës, nuk do ishte kaq e pastër, sikur PD të mos kishte trembur shqiptarët duke ua kujtuar këtë tip sjellje politike, sikur të mos kishin vrarë në Elbasan dhe pastaj të kërcënonin përmes Xhelal Mziut me vrasje “si në Elbasan”, cilindo që mendonin se duhej vrarë.
Nëse ende nuk e kuptojnë që shqiptarët kanë bërë diferencën pikërisht për frikën që ata ngjallin si të tillë, atëhere do t’ia bëjnë më të lehtë Edi Ramës dhe mandate të tjera përtej këtij. Por demokratët nuk ua kanë borxh.
Ftesa e Edi Ramës është ftesë për të ndryshuar opozitën në raport me fatet e vendit, dhe jo liderin e saj. Liderin e dimë që e ndryshon Berisha. Kur të zgjidhet vetë, do të jetë dita e re për PD.