Në 9 dhjetor, Departamenti i Thesarit të SHBA publikoi listën e zezë për persona nga Europa, Azia dhe Amerika e Jugut të përfshirë në rrjetin e korrupsionit, kontrabandës së armëve dhe krimit.
Përveç emrave të tyre, ata renditën emrat e bashkëpunëtorëve të tyre dhe kompanitë për të cilat punojnë dhe të cilat janë nën sanksionet e SHBA-së dhe OKB. Lista, thotë Express, përfshinte edhe emrin e Slobodan Tesic, një qytetar serb i lindur në Kiselak.
Tesic ishte në shënjestër të Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve ndërkombëtare për rreth 15 vjet për shkak të kontrabandës së armëve në vendet aziatike dhe afrikane nën embargo ndërkombëtare.
Në raportin e Departamentit të Thesarit përmendet se Tesic kishte bashkëpunëtorë, të cilët ose punuan me të ose në emër të tij drejtuan kompani të ndryshme që ai i menaxhonte fshehurazi dhe merrte vendime strategjike e bënte marrëveshje.
Dhjetorin e vitit 2017, Tesic ishte ndër tregtarët më të mëdhenj të armëve dhe municioneve në Ballkan dhe ishte në listën e ndalimeve të OKB për gati një dekadë.
Ai e kishte kaluar më parë biznesin e tij nga kroacia në Bosnjë, e në vitin 2015 shpërtheu skandali i ri i armëve që kishte dërguar për rrjetin terrorist Al të Kaedës në Libi.
Nëntorin e këtij viti, nënkryetarja e Partisë për Liri dhe Drejtësi dhe një anëtare e Parlamentit Serb, Marinika Tepic deklaroi se si Ministër i Mbrojtjes në 2013, Aleksandar Vucic kishte ndërmjetësuar personalisht tregtinë e armëve mes Libisë dhe tregtarit të armëve Slobodan Tesic, sponsorizues i Partisë Progresiste Serbe.
Sipas saj, dëshmitarët e kanë konfirmuar se Vucic kishte mirëpritur e kishte biseduar me njërin prej liderëve të Al Kaedës, Khalid Al Sharif, I cili ishte pjesë e delegacionit libjan që shkoi për vizitë zyrtare në Serbi prillin e 2013-tës.
Falë asaj vizite, Serbia nënshkroi një traktat për eksportin e armëve në vlerë 149 milionë dollarë në Libi. Eksportuesi ishte ndërmarrja shtetërore serbe Yugoimport, dhe përfituesi i fundit është Ministria Libiane e Mbrojtjes”, thotë Stevan Nikçevic, sekretari shtetëror i Ministrisë së Tregtisë serbe.
Slobodan Tesiç orkestruesi i trafikut të armëve me Shqiperine, MEIKO dhe AKSHE fshehin kontratat
Slobodan Tesiç është njeriu me të cilin qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes kanë bashkëpunuar vitet e fundit duke e përzgjedhur si kontraktor në trafik armësh. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka evidentuar vizitat e Tesiç në Tiranë, takimet në Ministrinë e Mbrojtjes me drejtues dhe ministrin Arben Imami, i cili ka dhënë aprovimin për shitjen e armëve e municioneve këtij kontraktori serb super të kërkuar në botë, pasi akuzohet se i ka shitur armë vendeve në luftë civile, apo diktatorëve si siberianit Tailor, jemenasit Saleh dhe së fundi libianit Gadafi.
Shqipëria i ka dhënë armë trafikantit serb në 2010 për Libinë e Gadafit, madje disa anije. OKB e njeh serbin si një nga më të rrezikshmit edhe në biznes droge, përveç armëve, pas arrestimit të rusit Viktor Bout. Tesiç ka thyer rezolutën 1521 të OKB-së. I ngjyrosur në listë është emri i Tesiç, si bashkëpunëtor i trafikantëve të tjerë dhe njëkohësisht si dorë e parë e shitjes në firmën e tij “TEMEX Tezic”.
Partia Socialiste ne ate kohe ne opozite ka deklaruar se ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, është takuar fshehurazi në Shqipëri me Slobodan Tesiç, ku i ka shitur armë me 20 përqind të vlerës reale. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka deklaruar Imami e ka pritur në Shqipëri Slobodan Tesiç dhe e ka shoqëruar në depot e armëve.
Ndërkaq, trafikimi i armëve drejt vendeve Lindjes, nëpërmjet sekserëve serbë dhe në shkelje të embargos të vendosur nga OKB, ishte pranuar edhe nga vetë Ministria e Mbrojtjes, e cila nuk lejon zbardhen e skandalit. Si destinacion është deklaruar Mali i Zi, por trafikantët serbë të kërkuar ndërkombëtarisht për trafiqe, kanë ndryshuar drejtim, duke i shitur armët shqiptare në Jemen, Libi, Iran etj.
Pas akuzave për trafik armësh të artikuluara nga mediat e huaja dhe nga Ambasada Amerikane, Partia Socialiste ne ate kohe ne opozite dyshon se Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve të mallrave ushtarake dhe ndërmarrja për transaksionet e armëve, MEIKO, kanë fshehur kontratat e trafikut të armëve.
Opozita shqiptare e asaj kohe mendonte se Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve dhe MEIKO kanë orkestruar trafikun e armëve në bashkëpunim me biznesmenë serbë.
Deputetët të PS, përkatësisht anëtarë të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deklarojnë se AKSHE ka licensuar kompani me histori të zeza korrupsioni, të cilat janë përfaqësuar me trafikantë dhe sekserë të kërkuar ndërkombëtarisht, siç është Slobodan Tesiç.