Gjatë komunikimit të tij me qytetarët përmes rubrikës “Sy më sy” në rrjetin social Facebook, Kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe materialet e publikuara dje në media, ku prokurori i SPAK Olsi Dado i ishte drejtuar me fjalën “ndyresirë” Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj brenda salles së gjyqit.
Kryeministri Rama theksoi se SPAK u krijua nga vullneti i PS, sot kemi provën e padiskutueshme të pavarësisë së saj.
Por theksoi se vetëm pavarësia nuk mjafton, por duhet edhe profesionalizmi e integriteti i SPAK. Rama tha se është një pikë problematike e SPAK, që ka të bëjë me respektin për tjetrin.
“PS e ka krijuar SPAK, që ka vullnetin e popullit shqiptar. Ne duam që SPAK të jetë aty, që të fuqizojë veten dhe jemi këtu për të ushtruar këtë vullnet. Sot kemi provën e padiskutueshme të pavarësisë së SPAK. Ama, pavarësia nuk mjafton. Duhet edhe profesionalizmi e integriteti. SPAK duhet të luftojë me veten dhe të ketë parasysh që pavarësia duhet vënë në funksion të një drejtësie të drejtë, që nuk sheh majtas ose djathtas.
Ama, duke ruajtur të gjitha principet e kulturës europiane. Është një pikë problematike tek aktiviteti i SPAK, që ka të bëjë me respektin për tjetrin, me respektin për prezumimin e pafajësisë, me respektin për këdo që bëhet pjesë e një procesi, qoftë edhe që pyetet si person që mund të dijë diçka, se cilido qoftë është i barabartë me këdo. Kushdo që merr në pyetje këdo aty te Stacioni i Trenit, duhet të ketë parasysh se duhet ta respektojë”, tha Rama.