Zbardhen arsyet e vonesës për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. KLP ka nisur procedurat prej shumë muajsh, por ende nuk ka një vendim zyrtar nëse Arta Marku do marrë një mandat 7-vjeçar apo do të zëvendësohet nga një emër i ri. Përveç vetingut, një tjetër arsye që ka sjellë vonesa është dhe verifikimi i kandidatëve. Edhe pse tre nga katër emrat që morën pjesë në garë e kaluan me sukses vetingun, kjo nuk e ka ngrohur KLP.
Duke qenë se deklarimet për veting si për pasurinë, ashtu dhe për figurën dhe karrierën janë bërë që në vitin 2016, KLP ka vendosur të kryejënjë verifikim pasi emrat në fjalë mund të kenë kryer shkelje pasi kanë kaluar vetingun. Në raportin vjetor të KLP, theksohet se Këshilli ka nisur një punë nga e para, ku ka kërkuar informacione zyrtare për kandidatët nga DSIK, SHISH dhe ILDKPKI, për të verifikuar nëse ka pasur ndonjë shkelje pas kalimit të tre fazave të vetingut apo jo. “Me publikimin e emrave të kandidatëve në faqen zyrtare të KLP-së, Këshilli bazuar në nenin 31, të Ligjit 97/2019, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në nenin 4 dhe 14 të Rregullores, vijoi procedurën me dërgimin e kërkesave zyrtare për informacion institucioneve publike dhe private, Shërbimit Informativ Shtetëror, Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, DSIK-ut dhe Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktin e Interesit, për informacione të lidhura me kandidatët”, thuhet në raportin vjetor të KLP.
Ja kandidatët për të cilët u kërkua informacion
Në raportin vjetor të KLP bëhet me dije se verifikimi i figurës është kërkuar për katër kandidatët të cilët synojnë postin e kryeprokurorit, siç janë Arta Marku, Olsjan Çelaj, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj. Për këtë të fundit, KLP ka kërkuar informacion shtesë nga Drejtoria e Tatimeve, nga e cila edhe iu kthye një përgjigje. “Këtë informacion, Këshilli e kërkoi si për kandidatin Lulzim Alushaj, i cili nuk është subjekt i ligjit për rivlerësimin kalimtar, ashtu edhe për tre kandidatët e tjerë, lidhur me informacionet që mund të dispononin për fakte të ndodhura pas vendimit të organeve të rivlerësimit. Institucionet i janë përgjigjur kërkesës së KLP-së duke përcjellë informacionin që ata dispononin për kandidatët. Grupi i punës i ngritur me urdhrin e Kryetarit të KLP-së, gjatë administrimit të dokumentacionit të kandidatëve në garë, gjykoi se duhet t’i kërkohej dokumentacion shtesë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve lidhur me kandidatin Lulzim Alushaj. KLP, me Vendimin nr. 121, datë05.07.2019, vendosi t’i drejtohet institucionit në fjalë për të kërkuar informacion shtesë për kandidatin. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i është përgjigjur kërkesës së KLP-së brenda 12 ditëve me shkresën nr. 13683/1, datë 23.07.2019”, thuhet në raportin vjetor të KLP. Po ashtu, në raportin vjetor theksohet se për Olsian Çelën nuk është ndërmarrë asnjë veprim i mëtejshëm, deri në përfundimin e rivlerësimit. “Në këtë moment, me administrimin e dokumenteve të dorëzuara nga kandidatët, si dhe me informacionin zyrtar të mbërritur nga institucionet të cilave u ishim drejtuar, KLP nuk ndërmori veprime të mëtejshme për vlerësimin paraprak me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore, deri në pritje të përfundimit të procedurave ligjore të rivlerësimit të njërit prej kandidatëve, Z. Olsian Çela”, thuhet në raportin vjetor të KLP.
Elisjeda Kiko