Byroja Kombëtare e Hetimit po shkon drejt finalizimit. Komisioni i përzgjedhjes së kandidatëve ka mbyllur dje intervistat me 55 emra dhe ka kualifikuar 39 kandidatë për në fazën e fundit, atë të poligrafit.
Përmes një njoftimi për mediat, BKH bën me dije se në datën 2 dhjetor do të zhvillohet testi i poligrafit dhe ata që e kalojnë me sukses do të bëhen automatikisht hetues të BKH. “Komisioni i Përzgjedhjes në datë 19.11.2020, mbylli Fazën e Intervistës dhe përzgjedhjes së kandidatëve, për fazat e mëtejshme të konkurrimit.
Kandidatët e kualifikuar, do të plotësojnë deklaratën e pasurisë dhe interesave private e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë. Deklarata e pasurisë, e plotësuar, do të dërgohen të skanuara, me e-mail, në adresën [email protected], jo më vonë se data, 02.12.2020. Kandidatët e kualifikuar, do ti nënshtrohen Testit të Poligrafit.
Vendi, data dhe ora e zhvillimit të Testit të Poligrafit dhe udhëzime të hollësishme do të njoftohen në datën 02 Dhjetor 2020, në uebsite-in e BKH-së, (BKH.al)”, njoftoi Byroja e Hetimit. Sipas saj, faza e intervistës u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri.
Sipas ligjit, Byroja e Hetimit do të ketë minimalisht 60 hetues. Pas intervistës janë skualifikuar 16 emra dhe mund të ndodhë që gjatë verifikimit të deklaratave dhe poligrafit të largohen dhe emra të tjerë. Megjithatë sado që të jetë numri Byroja e Hetimit do të nisë menjëherë punën.
Ata pak emra që do të përzgjidhen do të dërgohen në SHBA për trajnim. Më pas Aida Hajnaj do të rihapë garën dhe do të ketë një proces të dytë për përzgjedhjen e hetuesve. Ndërkohë që gjatë diskutimeve në Kuvend për buxhetin e ri, BKH paralajmëroi se do të ketë 80 hetues.
Vijon puna e BKH
Edhe pse Byroja e Hetimit do të quhet e kompletuar pasi të jenë përzgjedhur hetuesit dhe stafi i administratës, në prapaskenë po punohet gjithsesi. Pak ditë më parë Hajnaj firmosi një marrëveshje me Drejtorinë e Tatimeve për të luftuar pastrimin e parave, ndërsa gazeta ka mësuar se kanë nisur konsultat dhe me ndërkombëtarët sa i takon luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një ndër organizatat e para ndërkombëtare që do të asistojë BKH është EUROPOL.
“Misioni Pameca ka mundësuar një bashkëbisedim mes Aida Hajnajt dhe përfaqësuesve të EUROPOL për të hedhur piketat e bashkëpunimit. Në takim morën pjesë Z. Jari Liukku, Shefi i ESOCC, Z. Roberto Garbini, Specialist i Projekteve Analitike (AP Copper) dhe Drejtues të përfaqësive të vendeve të BE dhe Palëve të Treta pjesë e AP Copper.
Kjo video Konferencë shërbeu për të diskutuar në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm midis dy organizatave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat nuk mund të shihen si dy fenomene të pavarura, siç u tha nga pjesëmarrësit. Z. Liukku theksoi se është e rëndësishme të sigurohet një bashkëpunim aktiv, ndërsa ai ftoi Drejtorin e BKH të konsideronte Europol-in si një burim informacioni në lidhje me vendet anëtare të BE.
Znj. Hajnaj vlerësoi fjalët e Z. Liukku dhe theksoi se karakteri ndërkombëtar i krimit në ditët e sotme kërkon bashkëpunim dhe angazhim midis partnerëve. Ajo përmendi që operacionet e ndërsjella dhe ekipet e përbashkëta të hetimit, si dhe shkëmbimi i informacionit mund të jenë thelbësore në luftën kundër krimit të organizuar”, njoftoi PAMECA.