Këto janë fjalët e njërit prej ndërmjetësve më të rëndësishëm, kryeministrit të Katarit Mohammed Abdulrahman al-Thani. Në një intervistë për New York Times ai ka konfirmuar se është vendosur të arrihet një marrëveshje mbi çështjen e pengjeve dhe të burgosurve, ndërsa zgjidhja e çështjeve më të vështira do të lihet për negociata të ardhshme. Arsyeja është se palët ende nuk janë të gatshme për kompromis. Kjo ishte e qartë – negociatori thjesht ka dhënë sinjalin për fazën e dytë.
Faza e dytë e marrëveshjes parashikon vendosjen e një force ndërkombëtare të stabilizimit (ISF). Për momentin ka pak detaje mbi përbërjen e saj. Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë vendosur gurin e parë, duke ngritur qendrën e komandës në bazën izraelite të Hatzor dhe duke dërguar 200 ushtarë. Megjithatë, kjo pararojë nuk do të hyjë në Gaza. Pjesa tjetër e kontingjentit dhe rregullat e angazhimit duhet të diskutohen. Plani parashikon pjesëmarrjen e Katarit, Turqisë, Egjiptit dhe ndoshta Emirateve të Bashkuara Arabe. Do të nevojiten mijëra trupa: Egjipti dhe Turqia i kanë, dhe atyre mund t’u shtohen indonezianët dhe vende të tjera myslimane. Kairo ka njoftuar se, së bashku me jordanezët, po trajnon 5 mijë policë palestinezë. Ky rol trajnimi mund të plotësohet nga programe të ngjashme (paralele me nismën amerikane) të Bashkimit Europian dhe të shteteve të tij anëtare, përfshirë Italinë.
Afatet kohore
LEXO EDHE:
Samiti në Sharm el-Sheikh, policia e Hamasit merr nën kontroll Rripin e Gazës! Dyshimet mbi fazën e dytë të bisedimeve
Nevojitet kohë, sepse duhen garanci, udhëzime, numra dhe objektiva të qarta. Ushtarët duhet të garantojnë rendin dhe sigurinë, të mbrojnë civilët, të ndihmojnë qeverinë e teknokratëve (që ende duhet formuar) dhe «bordin» – organin që do të shoqërojë tranzicionin. Siç dihet, është përmendur emri i ish-kryeministrit britanik Tony Blair si mbikëqyrës, por kjo figurë është menjëherë «goditur» nga Hamas dhe jo vetëm – është i padëshiruar. Më e butë ka qenë qëndrimi i Autoritetit Palestinez ndaj kandidatit britanik.
Trump e ka ndjerë situatën dhe ka bërë një hap paraprak: «Tony gjithmonë më ka pëlqyer, por duhet kuptuar nëse të gjithë do ta pranojnë». Me pak fjalë, ai duket më shumë jashtë se brenda. Dhe dje, presidenti amerikan shtoi në listën e mundshme të emrave edhe udhëheqësin egjiptian Al Sisi, si një njohje për rolin e tij në krizë.
Qeveria dhe terreni
Edhe këtu faktori kohë është vendimtar. Në pritje të ndërhyrjes së ushtrisë izraelite (IDF), Hamas po rimerr hapësirat, po eliminon me brutalitet kundërshtarët, po sulmon klanet rivale në sektorë të ndryshëm të Gazës. Në veprim është «Njësia Hije», krahu i gjatë i Brigadave al-Qassam. Pamjet tregojnë llogaridhënie të përgjakshme dhe lëvizje për të shmangur kaosin – një situatë që Trump e ka quajtur të përkohshme dhe që madje duket se e ka toleruar. Shtëpia e Bardhë, për të ruajtur atë që është arritur, po bën disa “lehtësime” – të përkohshme. The Economist thekson një rrezik që ishte paralajmëruar ditët e fundit: lëvizja mund t’i lejojë palestinezët e tjerë të qeverisin Gazën – siç parashikon plani – por në fakt të mbajë pushtetin dhe aftësinë për të ndikuar ngjarjet.
Ndërmjetësit dhe presioni
Të vetmit që, të paktën në teori, mund t’i ndalin muxhahedinët janë ndërmjetësit-sponsorë – të njëjtët që e detyruan fraksionin të pranojë shkëmbimin. Katari dhe Turqia, për ta thyer rezistencën, kanë kërcënuar të dëbojnë drejtuesit dhe t’u heqin çdo mbrojtje. Sipas Wall Street Journal, ky ultimatum e ka bindur Khalil al-Hayya-n të ndryshojë mendim, i «qetësuar» pas një takimi ballë për ballë me të dërguarin amerikan Steve Witkoff dhe dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner. Detaj që është zbuluar nga faqja Axios, e cila vë në dukje se dyshja e dërguar nga Shtëpia e Bardhë nuk kishte as kufizime dhe as vija të kuqe.
Çështja e armëve
Prova e vërtetë e kësaj marrëveshjeje është çarmatimi i Hamasit dhe i shumë formacioneve të tjera. Pasi kanë thënë “po”, drejtuesit kanë ngritur një bllokadë, duke përjashtuar dorëzimin e të gjithë arsenalit. Janë përsëri katariotët që tregojnë dy pengesa kryesore: nëse dhe si duhet dorëzuar armët – pushkët, hedhësit e granatave, raketat, eksplozivët – dhe kujt, në rast dorëzimi.
Një shkelje e tillë – serioze – mund të bëhet shkak për një reagim të ushtrisë izraelite (IDF). Gjithmonë ekziston rreziku i rifillimit të ofensivës, i shtyrjes së tërheqjes apo i goditjeve të reja. Datat e tërheqjes izraelite nuk janë vendosur ende në kalendar – edhe këtu ekziston një hapësirë manovrimi. Përvojat e së kaluarës vlejnë si paralajmërim: gjatë intifadës së dytë, SHBA krijuan një mekanizëm të ndërlidhur (planin Zinni) për të detyruar palët ta respektonin. Por rezultati nuk u arrit, sepse mjaftonte të bllokohej një hap për të kompromentuar gjithë procesin. Sabotuesit, në Lindjen e Mesme, nuk mungojnë kurrë./ Corriere della Sera