Disa kohë më parë revista amerikane ‘Mother Jones’, me anë të një shkrimi investigativ me autorë David Corn, Hannah Vevintova dhe Dan Friedman, ka hedhur dritë mbi lidhjet e fshehta të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kompanive të lobimit. Në artikullin e gjatë, u pasqyruan fakte konkrete ku PD, sipas tyre, ka ofruar pagesa të majme për promovimin e liderit të saj Lulzim Basha, në SHBA.
Në një shkrim, kushtuar ish-këshilltarit të presidentit të SHBA, Donald Trump, Michael Flynn, i cili u deklarua fajtor si pjesë e një hetimi mbi marrëveshjet e mundshme midis Rusisë dhe fushatës zgjedhore të Trump 2016, është përmendur dhe rasti i lobimit të PD –së, nën drejtimin e Bashës.Siç është publikuar më herët, kryedemokrati kishte kontraktuar një lobist republikan dhe ish- ndihmës të fushatës së Donald Trump, i cili quhej Nick Muzin.
Kontrata mes Muzin dhe Partisë Demokratike është firmosur nga Lulzim Basha, për të promovuar Partinë Demokratike të Shqipërisë në muajt mars, prill dhe maj 2017. Sipas kontratës, Muzin do të paguhej 25,000 dollarë gjatë këtij harku kohor për shërbimet që do të kryente. Edhe gazeta “The Times of Israel” e përmend këtë fakt në shkrimin e saj, por pa përdorur shifra.
“Muzin, i cili ishte një mbledhës fondesh në fushatën presidenciale të Trump 2016, gjithashtu këshilloi një parti politike të mbështetur nga Rusia në krahun e djathtë në Shqipëri. Stonington përshkruan strategjinë e saj si ndihmë “klientët vendas dhe ndërkombëtarë lundrojnë në tregjet e kapitaleve globale dhe lehtësojnë bashkëveprimet me qeveritë”, shkruan “The Times of Israel”./CNA