Tre gazetarët amerikanë David Corn, Hannah Levintova dhe Dan Friedman, bashkautorë të investigimit të botuar në prestigjozen amerikane Mother Jones, u janë përgjigjur pyetjeve të Report TV dhe Shqiptarja.com, rreth shkrimit që ka turbulluar ujërat e politikës shqiptare, për shkak të zbulimit të lidhjeve të errëta të Partisë Demokratike me njerëz të afërt të Vladimir Putin.
Tre gazetarët rrëfejnë hap pas hapi pse dhe si e realizuan këtë investigim si dhe provat mbështetëse. Si provë kryesore për lidhjet e PD me rusët gazetarët i referohen regjistrimeve të biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat flasin për atë që Biniatta Trade ishte e lidhur me kompani të tjera guackë, që lidhen me shtetas rusë. Ata e kanë konsideruar absurd pretendimin e Partisë Demokratike se shkrimi është paguar nga Edi Rama, duke shtuar se nuk pranojnë kurrë pagesa për një investigim.
-Pse vendosët të investigonit për lidhjet e Rusisë për të promovuar PD shqiptare?
Disa reporterë në zyrën tonë në Uashington po ndjekin aspekte të ndryshme të lobimit të huaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ky ishte një shembull që na interesoi.
-Sa kohë ju desh për të përfunduar investigimin?
Kemi punuar për të rreth tri javë.
-A e keni vizituar Shqipërinë për të mbledhur informacion për investigimin tuaj?
Jo.
-A kontaktuat me ndonjë politikan shqiptar kur nisët investigimin?
Ne i dërguam e-mail PD-së në Shqipëri dhe firmës lobuese që e përfaqësonte atë, por nuk morëm asnjë përgjigje. Gjithashtu u përpoqëm disa herë të kontaktojmë lobistë në Uashington për Partinë Socialiste të Ramës dhe ata refuzuan të flisnin për këtë histori.
-Sa e vështirë ishte për ju të zbulonit lidhjet e rusëve për të promovuar PD-në shqiptare në Uashington?
Investigimi e bën të qartë se është e vështirë të gjurmosh të gjitha lidhjet e bizneseve amerikane. Por ne ishim në gjendje të përdornim regjistrimet në Mbretërinë e Bashkuar për të zbuluar gjithë këtë.
-Gjatë investigimit, kush ishte prova më e qartë që të tregonte se rusët ishin pas gjithë këtij operacioni?
Artikulli e tregon qartë se regjistrimet e biznesit në Mbretërinë e Bashkuar flasin për atë që Biniatta Trade ishte e lidhur me kompani të tjera guackë që lidhen me shtetas rusë. Ky është thelbi i lidhjes me rusët.
-Sipas jush, pse ishte e prirur Rusia të investonte në këtë operacion duke patur parasysh se Shqipëria është një vend i vogël
Artikulli nuk thotë që ishte qeveria ruse ajo që kishte lidhje me këto kompani.
-Mendoni se PD në Shqipëri e dinte se Rusia po paguante Nick Muzinin që të lobonte për të në Uashington?
Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjet PD-ja.
-Cili është komenti juaj për deklarimin e Partisë Demokratike, e cila ka akuzuar median tuaj se është paguar nga kryeministri Edi Rama?
Artikulli është kryesisht i bazuar në dokumentet e plotësuara për Mbretërinë e Bashkuar dhe të formularëve zyrtarë të lobeve në Shtetet e Bashkuara për Departamentin e Drejtësisë dhe Kongresin. Këto dokument janë publikuar në shkrim. Akuzat se Mother Jones ka marrë para nga Edi Rama për ta publikuar këtë artikull janë absurde. Ne nuk pranojmë kurrë pagesa për një investigim, në çfarëdolloj forme qofshin ato dhe sigurisht që nuk e kemi bërë edhe në këtë rast.
-Si u prit investigimi tuaj në SHBA?
Këtë u takon të tjerëve ta gjykojnë.
-Mendoni se Departamenti i Drejtësisë do të investigonte më tej për këtë çështje?
U takon atyre ta vendosin këtë.
-A mendoni se në të ardhmen ne do të mësojmë se kush ishin ata që fshiheshin pas Biniatta Trade, që ju shkruani se përbën thelbin e misterit?
Nuk mund të bëjmë parashikime. Kjo është një çështje e rëndësishme për t’u zgjidhur.
-Pse thoni se në fund të investigimit se çështja Biniatta Trade-Shqipëria është një paralajmërim i mundshëm për atë, se lufta e fshehtë politike e rusëve mund të shkojë edhe më tej?
Investigimi tregon se të paktën një nga kompanitë guackë ka krijuar dy kompani të tjera të cilat janë lidhur me qytetarë rusë dhe që janë përfshirë në politikën amerikane. Një pyetje e rëndësishme është ajo nëse ka apo jo situata të tjera si kjo.
-A po investigoni lidhur me ndonjë tjetër temë që ka të bëjë me Shqipërinë?
Ne nuk flasim lidhur me shkrimet që po i punojmë derisa ato të botohen.