azetarja investigative nga Kosova, Arbana Xharra ka reaguar pas akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha se Basha po përdor grupe myslimane për të mbrojtur selinë.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Xharra shkruan se Berisha u ka dhënë pasaporta shqiptare pjesëtarëve të Al Qaeda-s dhe sot flet për terroristë myslimanë.
“Po ta kishte hallin e terroristëve Berisha shumë kohë më parë do të kishte ngritur këtë shqetësim, kur shqiptarët iu bashkuan Shtetit Islamik. Duhet rikujtuar se Berisha ka flirtuar me këto grupe, madje u ka dhënë edhe pasaporta shqiptare pjesëtarëve të Al Qaeda-s.
Radikale kemi, jo vetëm në Kosovë dhe Maqedoni, por grupe të tilla radikale ka plotë edhe në Shqipëri. Radikalizmi vjen nga ligjëratat që mbjellin jotolerancë.
Ka ende plotë imame që vazhdojnë të ushtrojnë këtë mosdurim. Në Maqedoni gjendja është më e rëndë nga se atje në këtë drejtim mungon qëllimisht shteti. Shumë politikan shqiptarë i instrumentalizojnë këto grupe për arsye votash e pushteti”, tha ajo.
Gazetari nga Kosova “gozhdon” Berishën
Ndërkohë një tjetër gazetar nga Kosova ka “masakruar” Berishën në një studio televizive. Imer Mushkolaj në një emision në “Tv Dukagjini” ka akuzuar hapur ish-kryeministrin shqiptar, si një prej përgjegjësve për vrasjet e ndodhura gjatë protestës së “21 Janarit”.
Ndërsa këto deklarata, Berisha i ka quajtur provokim nga Novi Sadi. “Ju e keni përgjegjësinë për vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Ke vrarë njerëz në bulevard, kjo është njolla e juaj e zezë pas piramidave vratë njerëz në bulevard në Tiranë, dhe pas Gërdecit.
Nuk e përfundoj dot me gënjeshtrat që po thotë”, tha ai. Por ndaj tij ka reaguar Berisha, duke thënë: “Ti ke sjellë një provokator nga Novi Sadi aty i cili gënjen në mënyrë të pafytyrshme. Cila ishte paqësore kush e ka thënë paqësore protestën e 21 janarit përveç atij të pafytyri aty. Përveç Beogradit kush e ka thënë”.
Por gazetari i është përgjigjur: “Beogradit që keni bashkëpunuar ti kur ishe President, që e keni furnizuar me naftë. Është e dhimbshme dhe e turpshme”. Berisha ju përgjigj: “E cila është përgjegjësia ime atë… Unë kam qëndruar në zyrë, i vendosur deri në fund. Por ti që i thuaj protestë paqësore asaj ku u hodhën plumba në dritaren e kryeministrit, ti nuk ke minimumin e integritetit njerëzor. Je një skllav i atyre që të japin formula për të shpërndarë nëpër studio”.
Ndërsa gazetari ka vijuar: “Lëri pallavrat o zotëri, lëri gënjeshtrat. Cila është përgjegjësia juaj për vrasjet zotëri?! Këtë na sqaro. Nëse unë jam skllav, ti je vrasës! Vrasësi i më shumë se 20 vetëve në Gërdec, djegës i Shqipërisë në 97-ës. Antiamerikani ndër të fundit dhe tani shet moral. Ti ke shumë mëkate zotëri që prej 97-ës e tutje.
Keni përgjegjësi politike se ju dalin të zeza të tjera, ju dalin të zhdukurit. Si puna e Remzi Hoxhës. Dëgjomë dhe diçka. Fati juaj personal nuk është fati i shqiptarëve dhe i Shqipërisë. Mos provoni ta digjni dhe njëherë Shqipërinë për veten dhe familjen”. Ndërsa ish-kryeministri reagoi: “Aleksandër Vuçiç punon nga mëngjesi në darkë kundër Sali Berishës. Axhenda jonë e re do i japë fund kësaj”./Sidorela Braçja