Gazetari Anri Bala te Raport Tv me Arbër Hitajn ka hedhur dyshime të forta te standardet e SPAK dhe veçanërisht te dyshja prokuror-gjyqtar e rastit Veliaj.
“Debati i fundit ka të bëjë me standardet që SPAK po përdor, drejtësia speciale apo e posaçme dhe nuk diskutohet nëse do ekzistojë apo jo. Rama nuk e ka sulmuar si institucion, por Rama pretendon se është arrestuar në zyrë, është rast i vetëm, të tjerat kanë qenë me dorëheqje dhe më pas me hetim, me dijeni edhe të Ramës për këtë dorëheqje të zyrtarëve të lartë, pasi do kishte një hetim. Pra rasti Veliajt është me standard tjetër.
Unë nuk merrem me emra të veçantë për arrestime apo hetime. Por duket se u desh Prokuroria Speciale për të goditur krimin e organizuar, që deri dje ishte i paprekur”, thotë gazetari.
Ai vë në dukje edhe faktin se përse kryeministri nuk e thërret në Parlament kreun e ILD të shpjegojë publikisht nëse prokurori apo gjyqtari janë në rregull me kriteret e përzgjedhjes në detyra.
“Pse nuk e ka thirrur zoti Rama kreun e ILD-së, Artur Metanin në Parlament. Ta pyesi për prokurorin se si e ka kaluar Vettingun zotëria. Kemi thënë se s’ka magjistraturën, por tani nuk kemi një sqarim. Ai bën deklaratën se është në shkelje të ligjit dhe më tej nuk e ndjek, të kërkojë që të jepen shpjegime për këtë rast.
Vërtetë nuk ka pasur kriter që me vakancat nuk duhej Magjistratura, por ama ai ka shkelur ligjin se nga Noter në Prokuror nuk duhet të bëhej. Pra kush e ka bërë ligjin, si u shkel, si e kaloi ai? Duhet sqaruar kjo. Si e ka kaluar Vetingun Olsi Dado, kjo është çështja.
Edhe te pallati që ka marrë leje zotëria, kur është kërkuar dhe refuzuar, në një firmë tjetër ndërtimi nuk ka qenë përfitues i pronës, te kompania tjetër aty ka qenë fitues. Veliaj pretendon se ky zotëria është palë, ka konflikt interesi. Ka konflikt interesi edhe me profesionin, kriteret, noter-prokuror. Unë jam për t’u verifikuar të gjithë nëse ka shkelje kriteresh, nuk e kam me zotin Dado, se ndoshta janë të gjithë si ai, ose nuk ka asnjë, por duhet të sqarohet”, shpjegon ai.
Më tej kujton se Prokuroria në asnjë rast nuk ka shpjeguar se ku qëndron krimi ekonomik apo evazioni që ka shkaktuar Veliaj dhe sa është ky dëm.
“Prokuroria nuk e ka përfshirë se ku është evazioni i Veliajt. Ku është dëmi ekonomik që kryebashkiaku i ka shkaktuar Bashkisë me lejet e ndërtimit? Ose për rastin e vilës së pretenduar në Qerret të të ndjerit Arben Xoxa, pronave të tjera apo dhe fustaneve. SPAK nuk ka sqaruar as çështjen e fustaneve, por kanë luajtur me ndjesinë qytetare, apo për të justifikuar arrestimin, duke thënë ka bërë blerje 800 mijë euro. Ato janë rekuizitë të përdorura për reklama apo filma dhe nuk hidhen, mbahen aty se do përdoren përsëri.
Këta ia kanë vendosur në pronësi Ajolës! Pra nuk mund t’ia vendosësh në këtë mënyrë. Po Berishën pse s’e more Berishën apo Metën kur prishte provat, pra të arrestoheshin që në fillim. Ka raste të shumta kur masat janë të gabuara, rrëzohen më pas, prokurori mban përgjegjësi. Shifra ku nga 200 mijë lekë i bëjnë 2 milionë.
Ka edhe hetime fiasko si rasti i 32 arrestimeve të mëparshme që u rrëzuan si të paligjshme. Ose rasti i deklarimit të detajit i dënuar në dosje, kur ky zotëria është objekt dekriminalizimi (Veliaj), ku ai e deklaron i padënuar, kurse ti nuk e verifikon. Si e vendos ashtu në dosje?”, thotë gazetari në lidhje me dyshimet e procesit të hetimit nga SPAK.