Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur sot për mediat pas takimit që pati me kryetarin e Këshillit Kombëtar të PD Bujar Nishani për çështjen e mandateve. Me një qëndrim të qetë, gati të shkujdesur, por të prerë dhe preciz, Basha iu përgjigj interesit të gazetarëve në lidhje me deklaratën e zëdhënëses së BE, Maja Koçijançiç.
Por nuk ishte e vështirë të shquaje reagimin e veçantë të kryedemokratit kur u përmend emri i saj. Në deklaratën e Bashës nuk mungoi një mesazh për ndërkombëtarët.
Dialogu
Basha: Ditë edhe më të bukura presin shqiptarët.
Gazetari: Zoti Basha një qëndrim mbi deklaratën e zonjës Kocijancic?
Basha: Kush?
Gazetari: Djegia e mandateve ditën e djeshme…
Basha: Po…
Gazetari: Zëdhënësja e BE-së ka bërë një deklaratë se djegia e mandateve dëmton procesin e integrimit…
Basha: Ëhë…
Gazetari: Një qëndrim të PD-së për këto deklarata.
Basha: Po
Kujtojmë se zonja Koçijançiç deklaroi dje se djegia e mandateve parlamentare nga deputetët e opozitës dëmton integrimin në BE. Por Basha në kundërpërgjigje tha se integrimin e Shqipërisë në BE e pengon qeveria duke numëruar akuzat ndaj saj.
“Pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë është qeveria e lidhur me bandat. Pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë është qeveria e kapur duke vjedhur zgjedhjet siç demonstron dosja 339 dhe dosje të tjera të publikuara tashmë nga media ndërkombëtare siç është Zëri i Amerikës.
Pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është korrupsioni me afera të tmerrshme korruptive si dosja DH Albania, dhjetëra koncesione. Është kapja e shtetit nga oligarkët që arrijnë të detyrojnë parlamentin e pupacëve të krimit dhe oligarkëve të votojnë me efekt prapaveprues rimbursimin e qindra milionë eurove taksa që nuk do t’i paguajnë më oligarkët por do t’i paguajnë qytetarët nga xhepat e tyre.
Integrimin europian e pengon shkatërrimi total i administratës publike, një nga prioritetet e integrimit europian ku prapë media serioze si Zëri i Amerikës kanë vërtetuar që emërimet bëhen nga paradhoma e Edi Ramës, në shkelje flagrante të ligjit. Integrimin europian e pengon kapja e gjithë pushteteve në dorën e një autokrati të korruptuar dhe të lidhur me krimin”, deklaroi kreu i PD.