Përmes një konference me gazetarët Sali Berisha bëri një akuzë të rëndë ku tha se me urdhër të Lulzim Bashës, u gropos Komisioni Hetimor, që ishte ngritur në tetor për të hetuar, atë që opozita e quante masakrën zgjedhore të 25 prillit.
Po ashtu ish-kryeministri tha se ai komision u shua në momentin që në agjendë u shtua, që të hetohet ngjarja e Elbasanit për të cilin bëri përgjegjës Gazmend Bardhin, ku u vra Pjerin Xhuvani, nga Struktura për Mbrojtjen e Votës, e ngritur nga PD, me dyshimin se po blinte vota për PS. Gjithashtu ai tha se Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi nuk dëmtuan interesin e PD.
Bardhi: Berisha gënjen, Murrizi dhe Hajdari bashkuan votat me Ramën
E menjëhershëm ishte kundërpërgjigjja e Gazmend Bardhit, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale i ktheu reston Berishës. Sipas Bardhit, Berisha bëri dy gënjeshtra gjatë konferencës, ku sipas tij e para ishte se Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi, përkundrejt mbrojtjes së Berishës, ata bashkuan votat me Edi Ramën dhe rrëzuan marrëveshjen e 5 qershorit. “Dy gënjeshtra të mëdha të Sali Berishës që duhen çmontuar.
“Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi nuk dëmtuan interesin e PD.”. Gënjeshtër. Sali Berisha e di shumë mirë që po mashtron demokratët. Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi ishin deputetët që bashkuan votat me Edi Ramën për të hequr koalicionet, për të prishur marrëveshjen e 5 qershorit, duke i hequr fitoren PD dhe duke i dhuruar Edi Ramës mandatin e tretë”, tha Bardhi.
Ndërsa sa i përket çështjes së Komisionit Hetimor për vjedhjen e zgjedhjeve, Bardhi e konsideron si gënjeshtrën e dytë të Berishës, dhe shkruan se këtë komision e ndaloi Edi Rama. “Komisioni Hetimor për masakrën zgjedhore u shua, sepse u kërkua hetimi i ngjarjes së Elbasanit”.
GËNJESHTËR! Dokumentet parlamentare provojnë se Komisioni Hetimor u bllokua nga Partia Socialiste. Edi Rama rrëzoi planin e hetimit duke bllokuar punën e Komisionit dhe duke mos lejuar zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit”, shkruan Bardhi.
Bardhi-Berishës: 26 qytetarë vdiqën si pasojë e babëzinë së familjarëve të tu për para
Gjatë postimit të tij, Bardhi i përgjigjet me ashpërsi akuzës së Berishës se ai është përgjegjësi për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, 4 ditë para zgjedhjeve, ku shtoi se ngjarja po hetohet nga drejtësia. Sipas deputetit, ngjarja e Elbasanit nuk është si Gërdeci, ku humbën jetën 26 persona. Bardhi nuk nguron të akuzojë se ngjarja e 15 marsit të 2008, ka lidhje direkte me familjarët e ish-kryeministrit, ku sipas tij, nga babëzia e tyre për para ndodhi tragjedia me shumë viktima.
“Ngjarja e Elbasanit padyshim që është një ngjarje e rëndë, sa kohë një qytetarë mbeti i vrarë dhe disa të tjerë u plagosën. Ajo ngjarja po hetohet nga drejtësia dhe unë kam qenë dhe mbetem i vendosur që ajo ngjarje të hetohet plotësisht, me paanësi dhe profesionalizëm.
Ngjarja e Elbasanit nuk është ngjarja e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 qytetarë, nga babëzia e familjarëve të Sali Berishës për të nxjerr para të pista nga kudo. Ngjarja e Elbasanit ishte pasojë e një beteje të pabarabartë mes demokratëve që luftonin për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe bandave të Edi Ramës që terrorizonin qytetarët për të vjedhur zgjedhjet.”, shkruan në Facebook Bardhi.