Nënkryetari i Kuvendit dhe përfaqësues i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, pas takimit me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria duhet të ecë drejt BE-së mbi bazën e meritokracisë dhe standardeve demokratike.
Ai theksoi se zgjedhjet e lira janë themeli i procesit të integrimit dhe se raporti i fundit i BE-së ngre shqetësime për zhdukjen e kufirit mes partisë dhe shtetit, si dhe për faktin që liderë të opozitës kanë qenë në arrest gjatë vitit elektoral, çka sipas tij ka deformuar konkurrencën.
Gjekmarkaj kritikoi edhe funksionimin e Parlamentit, duke kujtuar se janë rrëzuar disa kërkesa të opozitës për komisione hetimore dhe interpelanca, duke dobësuar kontrollin parlamentar mbi qeverinë.
Ai u ndal edhe te votimi i ligjit për “paqen fiskale”, të cilin e cilësoi rrezik për pastrim parash, duke iu referuar shqetësimeve të ngritura në raporte ndërkombëtare dhe nga partnerët perëndimorë.






