Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i është përgjigjur 10 pyetjeve të KQZ, ndër të cilat edhe problematika e hasur së fundmi nga disa qytetarë për ndryshimin e adresave që mund të afektojë në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit.
Sipas letrës nga Drejtoria e Gjendjes Civile, nuk ka asnjë rast që të ketë pasur ndryshim të regjistrit të gjendjes civile të shtetasve nga një njësi vendore në një tjetër pa kërkesë apo vetë deklarim të shtetasit. “Jo, nuk ekziston një mundësi e tillë, pasi çdo rekord në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile mund t’i caktohet vetëm një kod i zyrës së gjendjes civile”, thuhet në përgjigjen e dhënë.
Sa i takon kriterit të hartimit të ekstraktit të popullsisë në përgjigjen e dhënë në letrën e drejtorisë thuhet se numërimi është bërë në bazë të kodit të zyrës së gjendjes civile.
“Numërimi i popullsisë është llogaritur duke iu referuar kodit të zyrës së gjendjes civile. Numërimi është kryer duke përdorur të njëjtat kritere që kemi përdorur që nga viti 2010”, theksohet në letër. Lidhur me pyetjen nëse mund të gjenerohet lista nominale e popullsisë në çdo qark sipas ekstraktit që ka prodhuar informacion për KQZ dhe të verifikohet në raport me listën e zgjedhësve, drejtoria i përgjigjet se të dhënat merren vetëm nga regjistri i gjendjes civile.
“Baza e të dhënave të regjistrit kombëtar të gjendjes civile është prodhimi i vetëm i të dhënave që kanë shërbyer për prodhimin e informacionit lidhur me popullsinë”, thuhet në letër. Po ashtu në letër thuhet se nuk ekziston asnjë mundësi që zgjedhësit të jenë në listat e një qarku për efekt zgjedhjesh dhe njëkohësisht në një qark tjetër në ekstraktin e popullsisë, ndërsa sa u takon rasteve të ndryshimit të regjistrit të gjendjes civile të shtetasve nga një njësi vendore në njësi tjetër në përgjigjen e dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile thuhet se shtetasi duhet të aplikojë në zyrën e aplikimit të gjendjes civile ku ka kodin.
“Shtetasi duhet të aplikoj për letërnjoftim për herë të parë në zyrën e aplikimit të zyrës së gjendjes civile, ku ka kodin përkatës të gjendjes civile, ndërsa aplikimi për letërnjoftim mund të kryhet në çdo zyrë aplikimi”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.