Ndërkombëtarët i kanë dhënë ditën e djeshme një tjetër “shuplakë” Presidentit Ilir Meta. Ky i fundit pak ditë më parë anuloi datën e zgjedhjeve lokale, veprimi i cili shkaktoi shumë debate brenda dhe jashtë vendit.
Mazhoranca ka shprehur vendosmërinë e saj për të hyrë në këto zgjedhje duke dalë kundër Metës, ndërsa në të njëjtën linjë me të janë rreshtuar edhe zyrtarët më të lartë të BE, të cilët kanë kërkuar që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Por dje kundër vendimit të kreut të shtetit, doli edhe një delegacion i Bundestag-ut gjerman, i cili ndodhej për vizitë në Tiranë.
Ka qenë kryetar i Grupit Parlamentar (SPD), Josip Juratoviç, i cili gjatë një konference për mediat deklaroi hapur se zgjedhjet vendore në Shqipëri duhet të mbahen në 30 qershor. Madje, për të argumentuar qëndrimin e tij, anëtari i Bundestagut iu referuar Kushtetutës së Shqipërisë, për të cilën theksoi se është baza e një vendi dhe se zgjedhjet duhet të bëhen kur e përcakton ajo.
“Kam kuptuar se ky vend ka një Kushtetutë dhe Kushtetuta është baza e një vendi. Në Gjermani Kushtetuta vlen si baza dhe për këtë arsye kam besim te ajo që përcakton Kushtetuta. Nëse Kushtetuta parashikon që zgjedhjet duhet të zhvillohen në një moment të caktuar, ato duhet të zhvillohen në këtë moment. Sepse vetëm në këtë mënyrë, vetëm duke u bazuar në Kushtetutë. Dhe unë konsideroj që demokracia përfaqësuese në formatin e Parlamentit është organi më i lartë demokratik.
Zgjedhjet përfaqëson konkurrencën mes partive politike. Secila parti ka të drejtën e saj për të marrë pjesë ose jo, do të jenë zgjedhësit se çfarë është bërë mirë apo keq. Zgjedhësit në Shqipëri dhe shoqëria është e informuar mirë se çfarë do apo nuk do dikush. Situata aktuale do të luajë një rol në vendimmarrjen e Këshillit dhe duke qenë se në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së janë parlamentet që vendosin” deklaroi ai.
Bojkoti i institucioneve nga opozita
Më tej, përfaqësuesi i simotrës socialiste në Shqipëri, Josip Juratoviç u shpreh se ka diskutuar me përfaqësues të opozitës parlamentare, ndërsa shigjetoi kryedemokratin Lulzim Basha dhe aleatët e saj se e kanë kthyer bojkotin si sport parlamentar. “Në një moment apo një tjetër gjithkush është i lirë të bëjë demonstrata apo protesta, por bojkotimi i Parlamentit do të thotë bojkotim i demokracisë. E thënë thjesht për mua parlamenti ka të njëjtën shenjtëri si Kisha. Nuk është pazar. Kam përshtypjen që është shndërruar në një sport të dashur për shqiptarët, nëse nuk je dakord atëherë po bojkotoj”, tha ai.
Ndërkohë, teksa u pyet se a rrezikon Shqipëria një konflikt apo përplasje civile në 30 qershor, zyrtari gjerman pohoi se kjo nuk është në dorën e tij, por në dorë të qytetarëve shqiptarë. Sipas tij, shqiptarët e dinë tashmë se çfarë duan dhe këtë duhet ta kërkojnë pa reshtur. “Unë personalisht nuk jam askush që mund të japë një recetë rekomandimesh. Kjo është në dorën e qytetarëve shqiptarë për të vendosur se çfarë duan ata. Procesi është konkurrim dhe pres që partitë politike të marrin pjesë në këtë proces.
Dhe nga ana tjetër, është bindja ime personale: Populli shqiptar e di shumë mirë se çfarë dëshiron. Shqiptarët duan të kenë shanse më të mira, shkollim,shëndetësi dhe dhjetëra gjëra pasi kjo nuk mund të zgjidhet në rrugë”, u shpreh ai.
Tymueset nuk janë alternativë
Duke komentuar largimin e të rinjve nga Shqipëria, kreu i delegacioni gjerman deklaroi se përmirësimi nuk vjen duke qëndruar në rrugë, por duke u përballur me problemet reale. Ndërkohë, Juratoviç hodhi kritika edhe ndaj opozitës shqiptare, duke i kujtuar se nuk mund të vijë në pushtet duke shkaktuar dhunë dhe sulmuar institucionet.
“Unë mund të parafytyrojë gjendjen, kur sheh se një burrë në moshën time se si fëmija e tij braktis vendin. Politika dhe partitë do të përballen me këto gjera. Detyra e politikanëve duhet ë përballen me ketë probleme dhe mos të dalin në rrugën me tymuese për të realizuar qëllimet e tyre”, nënvizoi kryetar i Grupit Parlamentar (SPD), Josip Juratoviç. /Rigels Seliman