Çdo shqiptar normal, pavarësisht nga statusi politik i tij, ndjen neveri kur dëgjon komente perverse, për figurat tashmë të konsoliduara të historisë sonë të vjetër e të re.
Aq më tepër kjo, kur këto perversitete i “reciton” një nëpunës i shtetit, siç është Drejtori i Arkivave Shqiptare, një nëpunës kontrabandë i administratës shtetërore, të cilin me të drejtë, disa analistë e komentatorë të shtypit e quajtën “spurdhjak”.
Heroi i Popullit, Qemal Stafa, ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, për të mos u tundur kurrë prej andej, nga çfarëdo furtune që mund të krijojë natyra dhe shoqëria njerëzore. Kjo për njëmijë e një arsye të dukshme e të pranueshme nga i gjithë opinioni kombëtar dhe jo vetëm. Askush si Qemal Stafa nuk ka arritur, që në njëzet e dy vite jetë, (ku më shumë se dy të tretat janë adoleshencë), të arrijë një profil të tillë në ideale, në vepra, dhe në sublimitet ndaj popullit dhe vendit të tij.
Qemal Stafa nuk ishte një partizan i thjeshtë, që kishte detyrë të justifikonte ashtu si duhet, pozicionin e luftëtarit në rreshtat e partizanëve. Ai ishte në rolin e drejtuesit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kishte mbi supet e tij të njoma, përgjegjësinë e gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Partizane, veçanërisht atyre të të rinjve, që përbënin pjesën dërmuese të çlirimtarëve.
“Spurdhjaku” i Arkivave Shqiptare, duhet ta ketë mësuar që në shkollën fillore e më pas se, Qemal Stafa ishte një nga gjimnazistët më të dalluar të Gjimnazit të Shkodrës; se ishte një letrar në nivelin e shkrimtarit të mirëfilltë; se kishte përqafuar me bindje idealet komuniste të kohës, për të cilat edhe do të burgosej nga regjimi zogollian; se në gjyqin mbretëror në vitin 1938, ai, së bashku me militantin e punëtorin komunist Vasil Shanto, do të shpalosnin hapur idealin e tyre komunist, pa u tutur nga dënimi i ashpër që u dha gjyqi i “Naltmadhnisë”.
Qemal Stafa së bashku me “shokun e tij të prangave”, Vasil Shanton, do të ishin iniciatorët e bashkimit të Grupeve Komuniste dhe pasi u bënë tok me Enver Hoxhën, arritën që më 8 Nëntor 1941 të krijonin Partinë Komuniste Shqiptare, e cila mori përsipër dhe realizoi me sukses Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar, duke siguruar më 29 nëntor 1944 Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë të Shqipërisë, ëndrra e përhershme e Rilindasve tanë të mëdhenj.
Qemal Stafa, nuk ishte një luftëtar i thjeshtë, që kryente punën e korrierit, por anëtar i Komitetit Qendror të PKSH, e cila udhëhiqte LANÇ. Ai ishte njëherësh edhe Drejtuesi kryesor i Rinisë Komuniste Shqiptare, organizata e së cilës u krijua dy javë pas PKSH dhe pikërisht më 23 Nëntor të vitit 1941. Ishte pikërisht në këto funksione të larta drejtuese të luftës, atë mëngjes të zi, kur u gjend i rrethuar nga fashistët dhe u detyrua të linte mënjanë mandolinën e tij të dashur dhe me kobure në dorë e dha jetën në mbrojtje të idealeve të tij komuniste e partizane, e flijoi rininë e tij për rininë e Atdheut.