Tek ne, çdo projekt i madh publik ka një fat të paracaktuar: sapo shpallet fituesi i tenderit, hapet automatikisht edhe sezoni politik i akuzave. Tuneli i Llogarasë, një vepër strategjike që duhej të përqendronte debatin në shkurtimin e kohës për të shkuar në Rivierën Shqiptare, në impaktin në turizëm dhe në modernizimin infrastrukturor, u shndërrua menjëherë në një tribunë për kalkulime politike, teori konspirative dhe akuza pa prova.
Një gjueti tipike shtrigash, ku fajtorët shpiken, përpara se faktet të kërkohen. Vrullit të rindezur të kësaj gjuetie i kontribuoi dhe SPAK, duke i lejuar vetes të përcillte fshehtas në disa media fraza të shkëputura nga kontesti, të përgjimeve të komunikimeve të një zyrtari të lartë, zëvendëskryeministres, për të prodhuar një gjyq popullor të hamendësimeve për abuzim dhe madje korrupsion në përzgjedhjen e kompanisë fituese të tenderit.
Nëse do të merrej një ekspert i pavarur nga jashtë vendit dhe do t’i paraqiteshin akuzat-hamendësime që u hodhën publikisht, se tenderi ishte “i paracaktuar”, “i manipuluar”, “i fabrikuar” apo “i mbyllur”, i vetmi reagim profesionist i tij/saj do të ishte një: “Ku janë provat?”.
Por debati politik në Shqipëri, i fryrë nga sjellja e papërgjegjshme e SPAK me “dekonspirimin” në publik të frazave nga hetimi i vet, nuk ka durim për prova. Në mungesë të tyre, ndërtohet narrativë. Në mungesë të dokumenteve, hidhen dyshime. Në mungesë të transparencës së lexuar me sy profesional, kërkohet medoemos skandali.
Në këtë terren, vepra e Tunelit të Llogarasë u bë viktimë ideale: i madh, i shtrenjtë, kompleks dhe i gjithi teknikisht i pakapshëm për shumicën e politikanëve që flasin për të çdo ditë.
Një nga problemet më të mëdha të të kuptuarit të procedurave për një tender të tillë nga qytetarët dhe opinioni publik, është se procedurat ndërkombëtare të tenderimit, që përfshijnë standardet profesionale FIDIC https:(//fidic.org/books/construction-contract-2nd-ed-2017-red-book). Ato përfshijnë kërkesa të rrepta për eksperiencë të specializuar, kritere financiare dhe teknikë sigurie.
Këto kërkesa, kur nuk shpjegohen në publik, interpretohen lehtë publikisht nga politikanët tanë sikur janë shtrëngime të qëllimshme për të përjashtuar kompani të caktuara. Fakti që asnjë nga kompanitë pjesëmarrëse dhe mosfituese në tenderin e Tunelit të Llogarasë nuk u ankua, nuk ka rëndësi për gatuesit e gjuetisë së shtrigave.
Askush prej tyre nuk thotë hapur se tuneli nuk është rrugë fshati, por një vepër e kategorisë së lartë, që kërkon kompani me portofol specifik ekspertize në tunele alpine. Kjo sjell një paradoks, pasi tek ne publikisht kërkohet që tenderët e mëdhenj të jenë njëkohësisht edhe ultrateknikë, edhe ultra të hapur për çdo kompani shqiptare të interesuar, pavarësisht se nuk i plotëson kushtet e rrepta teknike, madje edhe për kompani që nuk kanë shpuar kurrë një mal. Kjo është absurde. Por ama ky absurditet ushqen më së miri gjuetinë e shtrigave.
Kështu, anatemohet fakti që ura e pranishme në projekt nuk është ndërtuar. Dhe madje, duke qenë se tuneli rezultoi, për fat, me dy tuba kalimi (gërmimi eci shumë mirë), nga një tub kryesor lëvizjeje dhe një tub emergjence që ishte në projekt, kosto e ndërtimit të urës, nga 5-6 milionë euro e preventivuar në projekt, shumëfishohet nga gatuesit e gjuetisë së shtrigave në 25 milionë euro.
Dhe fantazia e ithtarëve të teorive të konspiracionit thellohet: meqenëse kemi dy tuba, duheshin dy ura. Dhe meqenëse këto dy ura nuk janë ndërtuar, dëmi dhe vjedhja është 50 milionë euro! Në fakt, nga zbatuesit e projektit, thjesht u përzgjodh, për të mos rritur koston dhe për të mos e çuar me 5-6 milionë euro më tepër, që trajektorja e rrugës deri në tunel të devijohej dhe të mos kishte nevojë për ndërtimin e urës në projekt, i cili, vërtet, me të dy tubat, nëse rruga nuk do të devijohej, do të kishte kërkuar ndërtimin e dy urave. /Nga Fatos Çoçoli






