Gjykata e Krimeve të Rënda ka mbyllur inventarin për dosjet që do të transferohen tek SPAK. Më 20 dhjetor nuk do të nisë punë vetëm Prokuroria e Posaçme, por edhe Gjykata e Posaçme Antikorrupsion. Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor po koordinohen me njëra-tjetrën që të gjitha organet e SPAK të ngrihen në të njëjtën ditë.
Por përveç kësaj, janë bërë gati edhe çështjet që do të kalojnë për gjykim tek Gjykata e Posaçme Antikorrupsion për shkallën e parë. Deri më tani prokurorët kanë identifikuar 24 dosje që do të kalojnë tek SPAK, ndërsa të tjera do të transferohen tek prokuroritë e rretheve. Mes dosjeve që do të hetohen nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe gjykohen nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shkallën e parë është ajo e Arbër Çekajt, i akuzuar për trafikun e 613 kg kokaine, kapur në shkurt të vitit 2018.
Për këtë dosje SPAK do të japë vendimin, pasi në seancën e fundit është lexuar pretenca, ku prokuroria ka kërkuar 21 vite burg për Arbër Çekajn. Ndërkohë, mes dosjeve që do të hetohen nga Prokuroria e Posaçme dhe gjykohen nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shkallën e parë janë ato të Domart Konjarit, i akuzuar nga Shqipëria, Franca dhe vende të tjera si drejtues i një grupi të organizuar në trafikun e drogës në Francë, por edhe s’i porositësi i vrasjes së Devi Kasmit, vrasje për të cilën do të gjykohen më vete Elton Halimaj dhe shtetasi grek Efthimi Efthimiu.
Dosja Habilaj dhe Saimir Tahiri
Një tjetër dosje që do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe gjykohet nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shkallën e parë është ajo e grupit të Habilajve, por edhe dosja ndaj Gjergji Kohilas dhe Sokol Bodes, dy ish-drejtues të Policisë së Vlorës, të shpallur në kërkim për akuzën e përfshirjes në trafik ndërkombëtar droge. Po ashtu, mes 24 çështjeve që do të kalojnë te Gjykata e Posaçme, nuk mungon as dosja ndaj 12 personave, përfshirë këtu Enxhi Koçin, për falsifikim dokumentacionesh dhe trafik të personave në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.
Pra, shumica e këtyre dosjeve i përkasin krimit të organizuar. Por megjithatë, gazeta ka mësuar se edhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka nisur me inventarizimin e dosjeve, të cilat do të kalojë tek Gjykata e Apelit e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mes tyre është dosja e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u dënua me 3.4 vite burg, dënim i cili u konvertua me shërbim prove. Këtë vendim e apeloi vetë ish-ministri Tahiri dhe Prokuroria për Krimet e Rënda.
Ja si do bëhet funksionale Gjykata e Posaçme
Teksa Prokuroria Speciale më 20 dhjetor do nisë punën edhe Gjykata Speciale do jetë funksionale, duke koordinuar punën me njëra-tjetrën. Kështu, ndryshe me prokurorinë, e cila nuk mund të ngrihej me emra të përkohshëm, gjykata do funksionojë me gjyqtarët e Krimeve të Rënda. Sipas nenit 162, të gjithë ata emra që kanë hyrë në veting, do të kalojnë në mënyrë të përkohshme te Gjykata e Posaçme. Në momentin që dikush ngel në veting, largohet, ndërsa ai që rikonfirmohet emërohet me mandat 9-vjeçar.
“Nëse ndaj gjyqtarit në detyrë të Gjykatës së Krimeve të Rënda ka filluar procesi i rivlerësimit në shkallë të parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me vendim të formës së prerë, dy javë pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ cakton gjyqtarin përkohësisht në nivelin përkatës në gjykatën e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me kusht që ai, si dhe familjarët e afërm të tij të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas ligjit”, thuhet në ligj. Por vetingu ka nisur për të gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda dhe kjo do të thotë se ata do kalojnë te Gjykata e Posaçme. Pra, në 20 dhjetor SPAK do jetë e kompletuar dhe janari sjell goditje në radhët e pushtetarëve. /Rigels Seliman