Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm Antikorrupsion, për Olta Xhaçkën. Treshja e gjyqtarëve vendosi kundër rekursit të Fredi Belerit për hetimin e ish-ministres së Jashtme dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi, lidhur me privatizimin e tokave në Himarë ku do ndërtohej resort turistik, dhe mbi të cilën morën statusin e investitorit strategjik.
SPAK vendosi dy herë mosfillimin e procedimit penal dhe tashmë me relator Sokol Binaj dhe anëtar Ilir Panda e Sander Simoni në seancën gjyqësore të se hënës, edhe Gjykata e Lartë vendosi po njësoj.
Beleri e kallëzoi Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj, ish-deputetin socialist Artan Gaçi, për disa vepra penale. E teksa refuzoi hetimin e çiftit socialist, SPAK mori të pandehur për shpërdorim detyre ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro, lidhur me tjetërsimin e dy sipërfaqeve të tokës mbi të cilat Artan Gaçi mori statusin e investitorit strategjik.






