Gjykata Kushtetuese ka refuzuar pjesën më të madhe të kërkesave që janë bërë pranë saj. Sipas statistikave të siguruara nga gazeta,
Mbledhja e Gjyqtarëve dhe Kolegjet e Gjykatës Kushtetuese gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2021 kanë marrë 88 vendime moskalimi (27 vendime të Mbledhjes së Gjyqtarëve dhe 61 vendime të Kolegjeve), nga të cilat: 2 vendime për kërkesat e regjistruara në vitin 2017; 4 vendime për kërkesat e regjistruara në vitin 2018; 6 vendime për kërkesat e regjistruara në vitin 2019; 35 vendime për kërkesat e regjistruara në vitin 2020; 41 vendime për kërkesat e regjistruara në vitin 2021.
Ndërkohë në të njëjtën periudhë Gjykata Kushtetuese ka marrë 28 vendime përfundimtare nga të cilat: 5 vendime për kërkesat e regjistruara në vitin 2017; 13 vendime për kërkesat e regjistruara në vitin 2018; 6 vendime për kërkesat e regjistruara në vitin 2019; 3 vendime për kërkesat e regjistruara në vitin 2020; 1 vendim për kërkesë të regjistruar në vitin 2021.
Në 6-mujorin e parë të vitit 2021, në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë janë paraqitur dhe regjistruar në total 68 kërkesa, nga të cilat të grupuara sipas objektit të kërkesës, konkretisht nenit 131 të Kushtetutës: 25 kërkesa janë paraqitur nga subjekte për proces të parregullt (shfuqizimin e vendimeve të gjykatave të zakonshme); 8 kërkesa janë paraqitur për konstatim të cenimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor;
16 kërkesa janë paraqitur për papajtueshmëri të ligjeve (apo dispozitave të veçanta të tyre) me Kushtetutën; 1 kërkesë është paraqitur për procedurën e shkarkimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë; 11 kërkesa janë paraqitur për kundërshtim/ rishikim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. 2 kërkesa janë paraqitur për papajtueshmëri të ligjeve dhe vendimeve të Këshillit të Ministrave. 1 kërkesë është paraqitur për kundërshtim të vendimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. 1 Kërkesë është paraqitur për kundërshtim të vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. 3 kërkesa janë paraqitur për konstatim cenimi të së drejtës për një proces të parregullt ligjor dhe shfuqizim të vendimeve të gjykatave të sistemit të zakonshëm.