Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës e cila mbylli dosjen ndaj Lulzim Bashës ka reaguar numri dy i Partisë Socialiste Taulant Balla.
Ai thotë se kjo dosje nuk mund të mbyllet dhe kërkon hetim KLGJ dhe KLP duke folur për gjykatës dhe prokurorë të KÇK
“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim.
Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare.
Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin “kap çfar të kapësh”, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm.
Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë.
Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë”, tha Balla.