Mero Baze
Vendimi i zbardhur i Gjykatës së Apelit për mbajtjen në burg të Erion Veliajt, është një përgënjeshtrim i ri për propagandën e SPAK ditën e gjyqit dhe pas tij.
Të gjitha lajmet e infiltruar nga SPAK në media, përfshirë dhe të “tregtarëve” zyrtarë të tij, flisnin për prova të reja të dala nga përgjime në qeli, që implikonin rëndë Erion Veliajt.
Madje një kopje e këtyre “provave” po botohet në një portal që vetëparaqitet si organ zyrtar i SPAK.
Edhe pse u bë i bezdisshëm debati se kush i nxori përgjimet, sot kam parë kopjen që kanë marrë avokatët dhe kopjen që është botuar në shtyp.
Janë tërësisht të ndryshme si nga formati i faqosjes ashtu edhe nga përmbajtja.
Në kopjen e botuar në shtyp, është fjalimi i prokurorit Olsi Dado i mbajtur në Gjykatë, i formuluar si fjalim ku argumentet ilustrohen me copëza përgjimesh të futura si “prova”.
Në kopjen që kanë avokatët nuk ka as fjalim e as paraqitje provash, por thjesht tabela përgjimesh, me kuadrate – nga ora kaq në orën kaq, ky numër telefoni me këtë numër telefoni – siç është formati zyrtar i përgjimeve.
Për të mos shkelur ligjin, po e ilustroj me një format përgjimi zyrtar që përdor prokuroria.
G
Ky është formati i përgjimeve që kanë marrë avokatët.
Ajo që ka botuar SPAK tek “organi zyrtar” i tyre nuk është kopja e avokatëve, por kopja e përgatitur nga vetë prokurori Olsi Dado.
Kjo kopje me vulë të njomë është në formën e një fjalimi që ka mbajtur prokurori para gjykatës dhe ka si ilustrim përgjimet.
Kjo nuk është kopja e avokatëve, edhe pse nga brenda SPAK-ut u përpoqën të bëjnë diversion mes avokatëve se kush mund ta ketë nxjerrë.
Tani, a është kjo shkelje ligji apo jo, është një debat që le ta bëjë SPAK, pasi atë kemi caktuar të vlerësuar shkeljet ligjore.
Por që SPAK ka bërë propagandë publike duke linçuar një të burgosur, dhe duke nxitur edhe fantazinë e perversëve shqiptarë për raportet familjare të të burgosurit, është fakt publik.
Nuk e di pse prokurori vuan nga sindroma e tradhtisë së gruas, por futja e përgjimeve për jetën private në një raport të prokurorit dhe pastaj bërja publike e tyre, është thjesht linçim ndaj të burgosurit – i cili shpresoj që ta çojë këtë betejë ligjore deri në fund në Strasburg, me qëllim që të krijohet një standard ndëshkimi për ata që duan të vendosin në Shqipëri ligje iraniane për jetën e atyre që përgjojnë.
Arsyetimi i gjyqtarit lidhet me pozicionin e Veliajt si kryebashkiak dhe mundësinë e arratisjes së tij, pasi sipas gjykatës ai ka mundësi financiare.
Nuk dua të interpretoj vendimin e gjykatës – për këtë avokatët do të ndjekin rrugën ligjore të ankimit – por manipulimi i opinionit publik me “përgjimet” e famshme është thjesht një propagandë e rëndomtë e SPAK dhe një dëm i madh për reputacionin e tij.
Sepse duket se inatet personale kanë mundur profesionalizmin e tyre dhe, akoma më keq, kanë shfaqur në disa raste edhe një lloj perversiteti publik që i turpëron si institucion.
Nëse një të burgosur e përgjon 24 orë, natyrisht që do të dëgjosh edhe biseda familjare, edhe seksuale, edhe banale.
Por ato nuk janë objekt hetimi.
Dhe ata nuk kanë asnjë të drejtë – as morale, as ligjore – as t’i lexojnë e jo më t’i bëjnë publike.
Fakti që prokurorët e çështjes Veliaj u përpoqën të bëjnë propagandë me fakte që gjykata nuk i ka marrë parasysh, tregon se janë të pasigurt në vendimin e tyre dhe tani po bëjnë reprezalje, duke kërkuar me çdo kusht “fakte të reja” rrugës, duke frikësuar dëshmitarë dhe shpikur fabula, që të mbajnë në këmbë një çështje me ndjeshmëri të lartë publike, politike dhe profesionale.
Deri tani, kanë humbur betejën me faktet dhe kanë fituar betejën me propagandën.