Gjykata Administrative e Apelit, ka vendosur të rikthejë koncesionin e anuluar për ndërtimin e segmentit Thumanë-Kashar.
Koncesioni është me vlerë 457 milionë euro dhe urdhri i Ministrisë së Infrastrukturës, i datës 25 janar 2019, për ndërprerjen e koncesionit Thumanë-Kashar, u rrëzua nga trupa gjykuese e përbërë nga Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa.
Ministria e Infrastrukturës, e anuloi koncesionin për mungesë fondesh. Por, ky vendim është hedhur poshtë nga gjykata, në bazë të një padie të kompanisë së kontraktuar Gener 2. Po ashtu, krahas rrëzimit të urdhrit të anulimit, gjykata urdhëron gjithashtu Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë që të dërgojë në qeveri për miratim kontratën koncesionare me kompaninë Gener 2 për ndërtimin e segmentit rrugor.
Kujtojmë se, Kompania Gener 2 fitoi koncesionin Thumanë-Kashar pasi mori paraprakisht një bonus nga qeveria “Rama” për “propozim të pakërkuar”. Dokumentet e tenderit sugjeronin një kosto ndërtimi prej 226 milionë eurosh, por raporti i Ministrisë së Financave për Parlamentin mbi kostot e kontratave koncesionare flet për një kosto të përgjithshme prej 457 milionë euro. Kostoja e këtij koncesioni u fry me më shumë se dy herë, krahasuar dhe me vetë parashikimet e qeverisë, duke nxitur dyshimet për një koncesion korruptiv.
Pas përfundimit të tenderit, qeveria dhe Gener 2 hynë në një fazë negociatash, të cilat duhej të çonin në kontratën finale. Negociatat nuk u përmbyllën, ndërsa një kompani fantazmë me emrin DH Albania, rezultoi fituese e dy tenderëve me vlerë 30 milionë euro në projektin e Unazës së Madhe, duke përdorur dokumente të falsifikuara. Dokumente të zbuluara nga media sugjeronin se kishte lidhje mes personave që zotëronin kompaninë DH Albania dhe drejtuesve të kompanisë Gener 2, e cila ishte fituesja dhe e tenderit të koncesionit Thumanë-Kashar.