Afatet tremujore të hetimit për dosjen “Tahiri” kanë përfunduar tashmë, ndërsa sot, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të marrë një vendim të rëndësishëm për këtë çështje.
Në një kohë kur dy prej prokurorëve, që udhëhiqnin hetimet janë larguar dhe gati po mbushet viti që kur Tahiri është vendosur nën hetim, Prokuroria është përballë tri mundësive.
E para, dhe me më shumë gjasa, është kërkesa për shtyrje edhe me tre muaj të afateve të hetimit. Vetëm një muaj më parë, Prokuroria ka kërkuar shtyrjen me tre muaj të afateve të hetimit për Jaeld Çelën, ish-drejtues i Policisë në Vlorë, i cili gjithashtu është pjesë e dosjes.
Burime brenda mbrojtjes, thonë gjithashtu, se presin një zgjatje të hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm. Por gjithashtu, Prokuroria e Krimeve të Rënda mund të kërkojë edhe dërgimin e çështjes në gjykim, ose pushimin e saj për mungesë provash.
Provat e vetme e Prokurorisë është një letërporosi e dërguar nga Greqia për udhëtimin e Tahirit atje për pushime verore. Sipas të dhënave të sistemit TIMS, ministri Tahiri ka dalë nga territori i Shqipërisë më datën 08.08.2014 ora 09:32, në drejtim të Greqisë përmes Portit të Sarandës me tragetin e linjës.
Po kështu, 6 ditë më vonë, më 14.08.2014, Artan Habilaj, vëllai i Moisi Habilajt ka dalë nga Shqipëria për në Greqi përmes Qafë-Botës, me mjetin “Audi” rreth orës 10:51. Dy ditë më pas, më 16.08.2014 në orën 13:31, Tahiri hyn në territorin e Shqipërisë nga Qafë-Bota, i shoqëruar nga ish-shoferi i tij Aliaj me mjetin tip “Audi” që ua kishte shitur Habilajve dhe pretendonte se s’kishte më lidhje me ta. Ndërsa po atë ditë, Artan Habilaj ka hyrë në Shqipëri me traget përmes portit të Sarandës.
Por kjo prove nuk verteton asgjë derisa makina ishte e regjistrur ne emer të Tahirit dhe Tahiri nuk ka mohur njohjen dhe lidhjen farefisnore me Artan Habilajn.