Kryeministri Edi Rama thotë se gjyqi që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është “kafshatë e vështirë”.
Rama thotë se lufta e UÇK-së dhe popullit të Kosovës nuk mund të njolloset dhe të bëhet kriminale nga asnjë lloj vule.
“Nuk ka asnjë dyshim që gjyqi ndaj Hashim Thaçit dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së në Hagë është një kafshatë tejet e vështirë për t’u kapërdirë, tejet e vështirë. Aq më tepër kur mendon që ajo gjykatë nisi të marri jetë si ide bazuar mbi një raport të mbushur me trillime për të kriminalizuar UÇK-në, luftën çlirimtare të Kosovës. Bazuar në fantazira që do t’i shkonin filmave të kategorisë së tretë të hollivudit, po nuk mund t’i shkojnë kurrë kurrë Këshillit të Europës, trafik organesh njerëzore nga ushtarët, nga komandantët, nga drejtuesit e UÇK.
Diçka që nuk ka ndodhur kurrë, diçka për të cilën nuk ka pasur kurrë asnjë provë, diçka që është shkruar e bardha mbi të zezë, ama si një fakt dhe është miratuar me kërkesën e delegacionit rus dhe pastaj me një numër të madh votash ku lavdi për hir të vërtetës PS në këtë rast, vota jonë atëherë në opozitë nuk është bashkuar dhe ja ku jemi sot.
Ja ku jemi sot, është vërtetë e dhimbshme por nga ana tjetër është tanimë një proces ku mesa duket ishte e shenjuar në fatin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve që jo vetëm të ndërmerrnin nismën më të çmendur, më të pabesueshme dhe më praktikisht të papranueshme në kohën kur u ndërmor për të marrë armët për të çliruar tokën e tyre, por dhe të përballin sot nismën më të çmendur, më të pabesueshme dhe më të papranueshme për t’u gjykuar si kriminel lufte.
Vetëm një gjë dua ta them në fund dhe ju siguroj që nuk e them si një fjalë që duhet thënë në fund, as si një përpjekje për vetëngushëllim. Nuk ka forcë në këtë tokë që e mund UÇK-në dhe që e bën kriminale me asnjë lloj vule, në asnjë lloj instance luftën për liri të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës. Në fund UÇK-ja do fitojë përsëri. Siç fitoi luftën me regjimin kriminal të Sllobodan Millosheviçit, do të fitojë dhe luftën me një padrejtësi të madhe ndërkombëtare.”, tha Rama në një video-mesazh për emisionin “Opinion”.
Në ditën e dytë të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, palës mbrojtëse shpalosi argumentat kundër akuzave të bëra nga Prokuroria Speciale.
Për ish-kreun politik të UÇK-së, Hashim Thaçin, i cili e shpalli veten të pafajshëm, ky do të jetë rrugëtimi drejt të vërtetës dhe drejtësisë.
“E drejta dhe vërteta janë parime të çmuara për mua. Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte, pavarësisht nga përkatësia. Viktima s’marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Jam i pafajshëm nga të gjitha këto akuza. Jam gati që të përballem me këtë sfidë të re dhe të kem sukses për familjen, popullin dhe vendin tim.”, deklaroi Thaçi.
Ai tha se ky proces është ngritur mbi dyshimet e Dik Martit për trafikim organesh që nuk u vërtetuan kurrë.
“Kur raporti i Dick Marty mbushi titujt e mediave me akuza të sajuara për trafik organesh nga unë dhe ushtria, unë kërkova që të hetohej nga gjykata ndërkombëtare në mënyrë të pavarur. Një Gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik organesh dhe se “Shtëpia e Verdhë” nuk ka ekzistuar kurrë. Gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr”, shtoi ish presidenti.
Duke mohuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale, mbrojtja e ish-presidentit Thaçi deklaroi se ai nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime dhe se nuk kishte mundësi të parandalonte krimet që ndodhnin, pasi sipas tij pushteti real u takonte komandantëve të zonave.