Në GJKKO u mbajt seanca e radhës mes Gazmend Bardhit dhe ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj. Në seancë është i pranishëm vetëm Edmond Sulaj me avokatin mbrojtës, ndërsa Gazmend Bardhi përfaqësohet nga avokatët Ledjo Braho dhe Marash Logu.
Avokati i Edmond Sulajt kërkon rihapjen e hetimit gjyqësor, pasi sipas tij, avokatët e Gazmend Bardhit kanë pretenduar se disponojnë dokumente zyrtare dhe akte, të cilat në fakt nuk i kanë në dispozicion. Ai thekson se gjykata duhet t’i sigurojë dhe t’i verifikojë ato për të përcaktuar nëse Mondi është i njëjti person që ata pretendojnë.
Avokati i Bardhit, Ledjo Braho, deklaron: “Ato dokumente, para se t’i kishte Gazmend Bardhi, i kanë pasur mediat.”
Në përfundim, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Edmond Sulajt, të rihapë hetimin gjyqësor dhe t’i drejtohet me kërkesë SPAK-ut për të vënë në dispozicion, pa cenuar hetimet, informacionin nëse dokumenti i lexuar nga zoti Bardhi është pjesë e fashikullit gjyqësor të dosjes “Metamorfoza”.