Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka mbajtur sot një deklaratë për mediat. Ajo është pyetur nëse janë vënë në përgjim gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Në përgjigjen e saj, Zaçaj u shpreh se Gjykata nuk ka asnjë informacion në lidhje mesa është shkruar për një përgjim të mundshëm apo të pretenduar ndaj gjyqtarëve.
Ajo tha se për këto lajme i ka dërguar kërkesë për informacion, kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanit. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese bëri me dije se shkresa është dërguar zyrtarisht ditën e mërkurë, datë 19 shkurt, ndërsa ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga ai institucion.
“Në lidhje me pyetjen tuaj Gjykata nuk ka asnjë informacion në lidhje mesa është shkruar për një përgjim të mundshëm apo të pretenduar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pasi u informua në lidhje me këto lajme, trupa vendosi që t`i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë. Shkresa është dërguar zyrtarisht ditën e mërkurë, datë 19 shkurt. Ende nuk kemi një përgjigje zyrtare nga ai institucion.
Ndërkohë që si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese informova zotin Dumani se nuk jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim të ndonjë forme ndikimi të papërshtatshme nga avokatë, funksionarë politikë, publikë ose subjekte të tjera, bazuar në nenin 10, pika 3, të ligjit organik. Gjykata mbështet çdo veprimtari të organeve ligjzbatuese në ushtrim të juridiksionit të tyre, gjithmonë në përputhje me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji.”, tha Zaçaj.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka bërë edhe një përmbledhje të punës së gjykatës përgjatë vitit 2024. Zaçaj ndër të tjera tha se Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë stok jashtë afateve procedurale, pasi mesatarja e shqyrtimit të çështjeve është 8 muaj.
“Mesatarja e shqyrtimit të çështjeve është 8 muaj, nuk ka stok jashtë afateve proceduariale. Gjykata Kushtetuese ka marrë vlerësime pozitive. Viti 2024 ishte një vit dinamik për Gjykatën Kushtetuese e cila ka respektuar afatet proceduriale për çdo dosje dhe çështje. Gjatë vitit 2024, Gjykata Kushtetuese dha 42 vendime unanime.” u shpreh ajo.