Më 24 dhjetor 2009, policia shqiptare njoftoi, se kishte arrestuar në Tiranë, 39-vjeçarin e Edmond Bego, i njohur dhe me emrat e tjerë “Mondi Bego”, “Manoli Bego”, “Saimir Sina” dhe “Belul Gjahtari”, mbasi në adresë të tij, kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar, të lëshuar për llogari të drejtësisë italiane.
Arrestimi i 9 viteve më parë, u bë në zbatim të Vendimit nr. 1157, datë 24.12.2009 të Gjykatës Tiranë, për efekt ekstradimi në Itali, sipas Vendimit Penal Nr. 1735, datë 22.04.2008-të Gjykatës Apelit-Torino, dënuar me vendim të formës së prerë, me 14 vite burg, për veprat penale të prodhim e trafikim droge, me grup të organizuar.
Por në datën 15.09.2010, Gjykata e Lartë Shqiptare, jo vetëm nuk e ekstradoi në Itali trafikantin me 4 emra, por edhe i uli gjysmën e dënimit që kishte marrë nga Gjykata e Apelit e Torinos, me argumentin “pendim për veprën e kryer dhe sjellje e mirë gjatë kohës së mbajtjes në arrest”.
Cilët ishin gjyqtarët e Gjykatës së Lartë Shqiptare, që i përgjysmuan dënimin trafikantit Manoli Bego dhe pas pak vitesh burg, kolegët e tyre gjyqtarë e nxorrën në liri të plotë, me argumentin e njëjtë, si “qytetar i rehabilituar, i penduar dhe pa rrezikshmëri shoqërore”?
Trupa gjykuese, që firmosi uljen e dënimit të tij përbehej nga gjyqtarë, që nga verifikimi, rezultuan se ishin një “kallëp”, ose më qartë, ishin “kolegë punësh” me Manoli Begon, si mbrojtës të krimeve, duke vënë pasuri e milirda lekë llogari bankare!
Gani Dizdari, kryesues, i shkarkuar dhe i përzënë nga drejtësia, me procesin e “Veting”-ut, për pasuri të dyshimta e të fshehura dhe për vendime si ky i trafikantit Manoli Bego.
Fatos Lulo, anëtar i seancës, i shkarkuar dhe i përzënë nga drejtësia, me procesin e “Veting”-ut, për pasuri të dyshimta e të fshehura dhe për vendime, si ky i trafikantit Manoli Bego
Besnik Imeraj, anëtar i seancës, i shkarkuar dhe i përzënë nga drejtësia, me procesin e“Veting”-ut, për pasuri të dyshimta e të fshehura dhe për vendime si ky i trafikantit Manoli Bego, i çuar për ndjekje penale.
Majlinda Andrea, anëtare e seancës, arrestuar dhe dënuar burg, për shitje vendimesh me marrje ryshfeti, së bashku me bashkëshortin e saj Odhise Andrea, ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Ilir Metës në Kuvend.
Bego është arrestuar sërish nga Greqia për tu ekstraduar drejt Italisë. Arrestimi i tij futi në sherr politikën shqiptare, ku nuk munguan akuzat dhe kundërakuzat.