Nga rreth 700 gjyqtarë dhe prokurorë që ka sot Shqipëria, vështirë të gjesh një magjistrat më të lakuar si të korruptuar, matrapaz dhe ordiner se sa gjyqtari i Matit, Murat Lleshi.
Prapaskena mëson se Murat Lleshi, i cili ka tundur për 30 vite çekiçin e korrupsionit, mund të mos ketë as diplomë. Një përgjigje e Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbi shkollimin e Murat Lleshit, i shton më tej dyshimet se gjyqtari nuk ka diplomë.
Por mungesa e mundshme e diplomës mund të jetë skandali më i vogël. Murat Lleshi ndan me sekretaren deri edhe kartmonedhat dhjetë mijë lekëshe apo pesë mijë lekëshe që u merr palëve në proces.
Kur shuma e parave është e vogël për çështje rutinë, Murati i thotë palës në proces t’i lërë lekët tek sekretarja, thua se po shet gjizë dhe jo se po jep drejtësi.
Pasi palët largohen, Murati shkon tek sekretarja duke i kërkuar paratë. Në një rast, një ‘klient’ i kishte lënë pesë mijë lekë të vjetra. Edhe këtë karmonedhë Murati i kishte kërkuar sekretares që ta ndanin, pra që t’i jepte 2 500 lekë të vetjra.
Kur dikush që kërkon të zgjidhë ndonjë çështje pensioni, emri etj., nuk ka para, Murati pranon edhe djathë, gjizë, mish etj., mjafton të kapë diçka.
Pronar i liqenit
Murat Lleshi mund të jetë gjyqtari i vetëm në Shqipëri që ka bërë letrat, sikur është pronar i Liqenit të Urakës.
Me një dokument të vitit 2003, gjyqtari Lleshi ka regjistruar në Hipotekë tokën që ndodhet para shtëpisë së prindërve të tij, në Urakë. Por nëse shikon hartën e pronës konstaton me lehtësi se janë 6500 metra katrorë të liqenit që figuron pronë e tij. Banorët e Urakës thonë se të gjitha tokat atje rrotull nuk ishin pronë e tyre, por e ish-mbretit Zog.
Vilë në oborrin e Prokurorisë
“O Murat, o Murat, bëj një gjyq dhe shto një kat!” Ky postulat matjan i atribuohet pikërisht matrapazit Murat Lleshi, gjyqtar në Gjykatën e Matit, të cilën e ka kthyer në pazarin e Klosit.
‘Bëj një gjyq’, nënkupton se Murat Lleshi ka tarifat e tij të pashpallura të pazarit për t’i ‘dhënë drejtim një çështje’, të cilat në varësi të rëndësisë së dosjes, variojnë deri në vlerën e një kati vile.
Me këto para, sipas autorëve të postulatit, gjyqtari Murat Lleshi ndërton një kat në vilën e tij në Burrel. Kjo është njëra anë skandalit.
Ana tjetër konsiston në faktin se Murat Lleshi e ka ndërtuar vilën në oborrin e prokurorisë së Matit, një rast ky i paprecedentë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan.
Prokuroria e Matit zgjohet çdo ditë me një provë krimi në oborrin e saj, që është vila e ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe me para të dyshimta nga gjyqtari Murat Lleshi.
Thua kishte pak hapësirë në Burrel për të ndërtuar një shtëpi, por Murat Lleshi, duke përfituar nga pozita e gjyqtarit dhe mungesa e shtetit ligjor, ka vendosur ta ndërtojë në oborrin e prokurorisë.
Skandali është i trefishtë. Krahas burimit të errët të parave dhe ndërtimit të paligjshëm, policia dhe prokuroria nuk kanë vepruar, për të zbatuar ligjin, si për çdo qytetar tjetër që ndërton në mënyrë të paligjshme dhe aq më tepër në oborrin e një institucioni publik, pikërisht në oborrin e prokurorisë.
Çfarë mesazhi jep Prokuroria e Matit për qytetarët, shtetin ligjor dhe Perëndimin, kur bashkëjeton çdo ditë me një produkt kriminal në oborrin e saj që është vilat e matrapazit Murat Lleshi?!
Procesi i Vetingut për gjyqtarin Murat Lleshi ka nisur që në vitin 2020. Sipas burimeve, Lleshi mund të japë dorëheqjen sapo t’i ngushtohet laku i Vetingut, për të evituar zbulimin në publik të pasurive të tij, lidhjet me krimin dhe bëmat me vendimet skandaloze.
Ka dyshime të forta se Lleshi i pazareve mund të ketë paguar për të shtyrë në kohë caktimin e datës, kur duhet të paraqitet në Komisionin e Vetingut, për t’u njohur me dosjen e verifikimit, duke e shfrytëzuar këtë kohë për të bërë dorën e fundit me çështjet.
Dhunimi i gazetarit
Vite më parë, gazetari i “Fiks Fare”, Ksenofon Ilia, i cili kishte realizuar një kronikë në fshatin Urakë me banorët, të cilët ankoheshin se gjyqtari Lleshi nuk i lejonte të ndërtonin urën, ndodhej para Gjykatës së Matit për të marrë një përgjigje prej tij.
Gjyqtari e ka parë gazetarin, i cili po e priste përpara godinës së gjykatës, teksa ishte duke biseduar me vëllanë e tij. Sapo gazetari ka filluar t‘i afrohet, gjyqtari Lleshi ka hipur në furgonin e të vëllait, një automjet me ngjyrë të kuqe. Gazetari ka kërkuar që t‘i japë një përgjigje se përse nuk i lejon bashkëfshatarët e tij të Urakës të ndërtojnë urën. Në atë moment, drejtuesi i furgonit, vëllai i gjyqtari Murat Lleshi, i ka dhënë gaz makinës, duke tërhequr zvarrë për disa metra gazetarin e “Fiksit”, Ilia, i cili më pas është përplasur në tokë. Në një moment, i vëllai i gjyqtarit i ka kërkuar atij të nxirrte pistoletën dhe t‘ia drejtonte grupit të xhirimit të “Fiks Fare”.
Vendime skandaloze
Vendimet e Murat Lleshit janë një ilustrim i degradimit të gjyqësorit në Shqipëri. Në vendimet e tij Lleshi, kur nuk merr paratë, reflekton mllef, del përtej të gjykuarit të çështjes, hep pretenca, jep dënime ekstreme për çështje banale etj. Kur merr paratë, liron nga burgu trafikantë bazuar në amnisti që nuk kanë hyrë në fuqi, merr vendime arbitrare, deformon faktet etj. Kundër Murat Lleshit ka me dhjetëra ankesa dhe denoncime për vendime skandaloze, ka pasur inspektime dhe procedime, por gjithnjë Murati i ka shpëtuar ndëshkimit.