Në mbledhjen e fundit të zhvilluar këtë fillim korriku (2 korrik 2024), KKT me në krye Edi Rama, përpos të tjerave, ka miratuar lejen për ndërtimin e një kulle me 50 kate në Rrugën “Teodor Keko”, Tiranë”.
Kulla do ndërtohet nga “Xh & M” sh.p.k (ish Merkaj), “Alfazed” sh.p.k dhe “Smart Construction Invest” sh.p.k.
Pronare në letra e kompanisë “Xh & M” sh.p.k është gjyshja Sofije Merkaj, 82-vjeçe, lindur më 1942 në Gllavë të Skraparit. Sofije Merkaj është nëna e Fatmir Merkajt, ish shoferi i Ilir Metës, i lakuar si mbulesa e pasurive të paligjshme të Metës.
Fatmir Merkaj, i lakuar si pjesë e aferave korruptive të Ilir Metës, disa nga të cilat po hetohen nga SPAK, e ka themeluar kompaninë në vitin 1995, me objekt parësor tregtimin e artikujve ushqimore, industrial, elektroshtepiake, duhan-cigare, fruta-perime, materiale ndërtimi, nafte e nenprodukte të saj.
Në vitet 2008 dhe 2010, Fatmir Merkaj zmadhon kapitalin e kompanisë.
Në vitin 2011, Fatmir Merkaj i shet kompaninë shtetasit Islam Begaj për rreth 400 mijë euro. Nuk dihet se cili është burimi i parave i Begajt për të blerë një kompani 400 mijë euro.
Ka dyshime të forta se shiftja ka qenë fiktive.
Me 30 qershor 2018, kapitali i shoqërise bëhet 240.000.000 lekë ose rreth 2.4 milionë euro.
Në 24 gusht të vitit 2018, Farmir Merkaj ia blen sërish kompaninë Islam Begajt, tashmë për 100 mijë lekë.
Pra, një kompani që Begaj e kishte blerë për 400 mijë euro dhe që kapitali ishte rritur në 2.4 milionë euro, e shet për 100 mijë lekë.
Këto elemente ngrenë dyshime të forta për pastrim parash.
Për të marrë në zotërim kompaninë, ish shoferi i Ilir Metës, Farmir Merkaj fut në lojë nënën e tij Sofije Merkajn, 82-vjeçare.
Në emrin e Sofija Merkajt 82-vjeçe nuk është vetëm kompania që do ngrejë kullën 50 kate në Tiranë dhe që po bën gati letrat për kulla të tjera dhe një resort, Delta Bay, si investitor strategjik.
Në emër të Sofije Merkajt, Ilir Meta, kur ishte në pushtet ka kaluar edhe pasuri të tjera publike dhe ka firmosur koncensione për llogari të saj, përmes ministrave të LSI, histori për të cilat do të flasim në vijim.
Fatmir Merkaj është lakuar si një linjë e vjetër korrupsioni dhe pastrimi parash i Ilir Metës. Merkaj ka shërbyer si shofer i Ilir Metës.
Në vitin 2011, Dritan Prifti deklaronte: “Fatmir Merkaj, mbulesë e Ilir Metës në biznese me 20 për qind në hidrocentrale dhe pallate e vila në Tiranë dhe Gji të Lalëzit. Berisha synon që Meta të bëhet kreu i opozitës?.
Edhe Agim Rrapaj ka dëshmuar në prokurori për Fatmir Merkajn: “Unë mbaj mend, që në muajin korrik të vitit 2009, unë së bashku me Fatmir Merkajn, jemi takuar në Dhërmi në plazh, në hotelin e Fatmir Merkajt me Ilir Metën. Ata njiheshin që më parë vetë dhe nuk janë prezantuar prej meje. Nuk i di rrethanat e njohjes së tyre dhe nuk ka rënë ndonjëherë muhabeti për këtë“.
Fatmir Merkaj, administratori i “Merkaj shpk”, kompani e cila u bë pjesë e bashkimit të shoqërive “Vëllezërit Tola”, për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin Shushicë, për të cilin Meta i ndërhyri Priftit pasi do të merrte 700 mijë euro.
Roli i blogeres Ersi Ngjela
Pas kompanisë së dytë Alfazed qëndron biznesmenia Shefikat Ngjela, e cila ia ka kaluar aksionet të bijës, blogeres dhe financieres Ersi Ngjela.
Me kapital 46 mijë lekë, Alfazed ka si objekt kryesor import-eksport artikuj të ndryshem, industrial dhe ushqimor, por edhe punime dheu, muratur, betoni e beton arme, e punime shembjesh, ndertime civile etj.
Mes pasarelave të modës dhe financieres, Ersi Ngjela do t’i futet një kulle me 50 kate, bashkë me shoferin e Ilir Metës, Fatmir Merkaj.
Megjithatë, duhet theksuar se ndryshe nga Drilona Boçi, Elvana Gjata, Kejvina Kthella, Suada Sherifi, Trejsi Sejdini etj., të cilat u bënë financiere të parave të kokainës së burrave të tyre trafikantë, Ersi Ngjela ka administruar dhe po trashëgon bisneset e familjes së saj.
Në vitin 2001, Ilir Meta privatizoi Birra Tirana duke e kaluar në duart e Shefikat Ngjela, Luan Bregasi dhe Irfan Hysenbelliun.
Dy vjet më vonë, Shefikat Ngjela ka marrë edhe disa hidrocentrale në Bulqizë.