Çështja e Fredi Belerit është shndërruar në një betejë mes Shqipërisë dhe Greqisë që tashmë rrezikon të shkojë në skenën më të madhe politike të BE-së, Parlamentin Europian.
Kjo pasi kryeministri grek Kostandin Miçotaqis e kandidoi atë mes 42 emrave për eurodeputetë nga partia e tij.
Por nga një vëzhgim në rrjetet sociale, ajo që bie në sy është se qytetarët e thjeshtë grekë, në pjesën më të madhe ose nuk e njohin fare se kush është Beleri, ose mendojnë se ai është një shqiptar që është zgjedhur në nder të komunitetit të madh të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
“Nejse, ai është shqiptar… dhe çfarë na intereson ….”, komenton një qytetar grek në një prej medieve për të cilën Beleri ka bërë edhe një reagim, “Protothema”.
Një tjetër qytetar grek sulmon partinë e Miçotaqisit duke shkruar: “në tentativë të dështuar vënë shqiptarët e dënuar”.
Akoma edhe më qesharake e bën situatën komenti krejt i pafajshëm i një qytetari grek në një prej gazetave “online” më popullore në Greqi. Ai shkruan: “Shumë mirë që kandiduan një shqiptar, e meriton të përfaqësojë një komunitet prej 500 mijë shqiptarësh në Athinë”.
Vetëm në disa raste të vogla, vihen re komentues që e njohin situatën, dhe në shumicën e këtyre rasteve rezultojnë të jenë shtetas nga ata që vetëquhen “minoritarë grekë”.