Situata e rënduar nga zjarret në Greqi ka alarmuar emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje. Ambasada shqiptare publikoi një numër kontakti më herët, ku emigrantët shqiptarë mund të telefononin për të kërkuar ndihmë dhe për të pyetur për të afërmit e tyre.
Pas disa denoncimeve që kanë ardhur në redaksinë e Report TV, nga shqiptarë që jetojnë në Athinë, se numri nuk funksiononte. Për disa herë rresht, numrat e vënë në funksion, ishin jo funksionalë. Përfaqësia diplomatike në Athinë, herën e parë hapi telefonin dhe njëri nga punonjësit e ambasadës tha se nuk kishte informacion për shqiptarët e prekur nga zjarret.
“Për momentin nuk të jap dot përgjigje. Të jap këtë numrin tjetër. Tani i vura kartën numrit.”-u shpreh personi që hapi telefonin e ambasadës shqiptare në Athinë.
Report TV tentoi sërish, duke tentuar numrin e dytë që punonjësi i ambasadës i dha redaksisë. Në tentativën e dytë, telefonin e hapi një shtetas shqiptar i cili tha se nuk dinte të fliste italisht, duke ndryshuar gjuhën e bisedës sapo dëgjoi se u kontaktua nga një televizion shqiptar.
U tentua sërish për herë të tretë nga kjo media, por pa sukses. Ambasada shqiptare në Greqi, në një rast të tillë emergjent, nuk denjon të hapë as telefonin për të informuar shqiptarët dhe mediat.
Rast ky i paprecedentë, në përmasat e një skandali, për faktin sesi funksionojnë trupat diplomatikë shqiptarë në shtetet përkatëse ku janë atashuar, dhe ndihmën që mungon për shqiptarët si në rastin e sotëm, të zjarreve në Greqi.