Iannis Xenakis është nderuar në Greqi me një ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë. Xenakis është cilësuar si themeluesi i muzikës elektronike, një njeri me talent të shumanshëm, që theu kufijtë e zërit, duke përdorur formula matematikore.
Xenakis është ndarë nga jeta 20 vjet më parë, në Paris, vendi në të cilin ai u arratis pasi i mbijetoi me vështirësi një predhe tanku britanik në përleshjet që i paraprinë luftës brutale civile të Greqisë.
“Pak figura kulturore ishin aq të rëndësishme në gjysmën e dytë të shekullit”, thotë Katerina Gregos, drejtoresha artistike e Muzeut Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Athinë (EMST). “Xenakis nuk ishte thjesht një polimath, një vizionar, një kozmopolit i vërtetë, ai ishte një matematikan, inxhinier civil, arkitekt, autor, teoricien i muzikës, kompozitor dhe hartues, një njeri i Rilindjes nga e ardhmja.”
Gregos, një nga kuratoret më të njohura të Evropës përpara se të merrte drejtimin e muzeut kryesor, prej kohësh donte që Greqia t’i bënte homazhe një artisti që dekada më parë është pranuar në Akademinë e Arteve të Bukura të Francës dhe është dekoruar me Legjionin Francez të Nderit.
Xenakis, i cili ndoqi shembullin e arkitektit modernist francez, Le Corbusier, është vlerësuar për projektimin e Pavijonit Philips, i ndërtuar në vitin 1958 për ekspozitën e Brukselit dhe i frymëzuar nga një nga kompozimet e tij të para ikonike “Metastaseis”.
“Ishte një ëndërr,” i tha ajo Observer. “Diku tjetër ai është nderuar, ndërsa këtu nuk është vlerësuar kurrë aq sa meritonte. Ishte një nderim që shteti grek i bën një njeriu të përmasave kaq të mëdha.”
Vepra e tij ekspozohet si kurrë më parë. “Ka pasur shfaqje dhe koncerte aty-këtu, por kjo është hera e parë që ai njihet në nivel institucional në Greqi”.