Greqia duket se i ka sytë nga ardhja e presidentit të ri për të mbyllur paktin për detin. Presidenti Ilir Meta është shfaqur stoik dhe nuk jep autorizimin lidhur me këtë çështje dhe duket se Greqia i ka shpresat tek ardhja e presidentit të ri në vend, pasi Metës i mbaron mandati në Korrik.
Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, në një intervistë për mediat greke ka folur sa i përket çështjes së detit dhe zgjidhjes së statusit të saj në Gjykatën Ndërkombëtar të Hagës. Ai vuri në dukje se kjo çështje do të mund të merrte fund me largimin e presidentit Ilir Meta nga posti i presidentit, duke lënë të nënkuptohet se marrëveshja me qeverinë “Rama” për kufirin e hapësirës detare është e mbyllur dhe se sipas tij, me ikjen e kreut të shtetit aktual, çdo gjë do bëhet realitet.
“Shqipëria ka bërë një zgjedhje të rëndësishme të paktën në kohën e kryeministrit Rama. Cila është ajo zgjedhje? Është Bashkimi Evropian, ligji evropian, acquis evropian dhe, rrjedhimisht, partneriteti me Greqinë. Kjo është politika e saj e vendosur. Dhe duhen parë linjat e gjera të politikave dhe pozicionet e qëndrueshme në politikat e dikujt. Dhe Shqipëria është konsistente me të. Ajo ra dakord me ne që t’ia referojmë çështjen tonë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin përkatës kryeministrit. Me sa duket, Shqipëria do të zgjedhë një President të ri brenda dy-tre muajve të ardhshëm. Pra, e gjithë kjo do të jetë e realizueshme që atëherë. Sinqerisht, kjo është ajo që ruaj nga qëndrimi shqiptar, si dhe nga linja e përgjithshme e politikës së Shqipërisë në lidhje me vendimet e Bashkimit Evropian si për çështjen e Qipros ashtu edhe për Turqinë”, tha ai. Ndërkohë, ai u shpreh se Shqipëria ka respektuar të gjitha vendimet.
Sipas tij, vendi ynë ka respektuar vendimet pavarësisht se ende nuk i është dhënë statusi specifik që do ta detyronte Shqipërinë ta bënte këtë. “Shqipëria ka respektuar të gjitha vendimet. Ajo i ka respektuar të gjitha, pavarësisht se ende nuk i është dhënë statusi specifik që do ta detyronte Shqipërinë ta bënte këtë”, tha ai.
Dendias: Çështja çame s’e ekziston për Athinën
Kryediplomati grek Nikos Dendias, tha se do të nisin procedurat për abrogimin e ligjit të luftës, i cili daton që nga viti 1940.
Sipas ministrit të Jashtëm grek, dy vendet duhet të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, që pikat historike për abrogimin e tij, të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur. Ai shprehu gjithashtu të njëjtin vullnet për abrogimin e ligjit të luftës, ndërsa për pronat e komunitetit çam në Greqi, la të nënkuptohej se janë çështje që nuk ekzistojnë.
“Është e rëndësishme si ne do të përshpejtojmë hapat për të përmbushur mënyrën teknike që të depozitojmë sa më shpejt dokumentet në gjykatën e Hagës. Abrogimi i ligjit të luftës të përmbyllet sa më shpejt. Kjo do të thotë se ne duhet të diskutojmë mbi çështje praktike. Të mos krijojmë çështje që nuk janë ekzistuese se do na çojë në pasoja të dyfishta”, tha ai.