Nga Anri Bala
Nuk është asnjëherë e mjaftueshme, të nderosh me fjalë apo me çmime merite, një person që ka bërë një sjellje për tu lavdëruar… por ama është krejtësisht demode e të nxjerr “cullak” në sy të mëhallës, një “dekorim” i kopjuar keq dhe i shfrytëzuar shëmtuar, duke i’a zhbërë të gjithë vlerat qytetarit apo edhe xhestit të tij, që t’iu them të vërtetën, nuk është aspak i pazakontë… por për fat të të gjithëve: qytetari i duhur, qëlloi në vendin e duhur dhe kohën e duhur!
Nuk kam asgjë me qytetarin, që arriti të shkul dhunshëm prej krahëve të vdekjes, dy binjaket e dënuara nga fati i tyre i keq dhe mbytja e sigurtë, por ndjehem i neveritur dhe i sekëlldisur me kopjacët e hutuar… që në orvajtie për t’i bërë apoteozë një ngjarje totalisht dramatike, për nga dinamika dhe epilogu, që kërkon vëmendjen e secilit prej nesh, sidomos të organeve përgjegjëse, nguten t’i varin këmborën në qafë gjithkujt, me kushtin e vetëm, që në pjesën e mbetur të ekranit, të jenë edhe ata vetë!
Kuptohet fare mirë, se s’ka asgjë të keqe, të imitosh liderët e vendeve më të zhvilluara, përderisa kemi shumë për të mësuar prej tyre, por nuk mund ta kuptoj kurrsesi, indiferencën e tyre përpara një vrasje-vetëvrasje të shumëfishtë… për një kallashnikov të munguar!
Ndërsa, askush nuk neveritet nga dalja në media e ish-bashkëshortit të alkolizuar dhe i dhunshëm, që tregon se ajo, nëna e dy fëmijëve, e dy engjëjve, i kishte djegur shtëpinë dhe gati sa nuk bëri dhe policinë të lotonte, por edhe OJQ, që me ç’po na shohin sytë, duket sikur janë krijuar e shtuar për të mbrojtur maskarenjtë nga dhuna e grave nëna… të pambrojtura!
Ndërsa, qytetarët dhe opinioni publik, tejet i çoroditur, mallkon nënëzezën si fajtore, që desh mori jetën e dy vajzave… por edhe të sajën, e si fajtorë që janë disa… ndjehen të pafajshëm, bile të dhunuar. Dhunuesi i mërzitur, iku në shtëpi, sepse ishte gjynah e për të ardhur keq, e me zemrën e “madhe” që ka shoqëria jonë, sikur t’i ndërtonte një çati të re, ndërsa ai të priste shiritin në klubin e fshatit, duke u dëndur me raki.
Nëna e mjerë, e ka çatinë dhe shtëpinë… qelinë, me kokën mbrapa, me dhembjen që i la dy vajzat rrugëve dhe nuk arriti t’i largonte përfundimisht nga “ai edhe ne”, ato dhe veten, me një fund të tmerrshëm, nga jeta e tyre me tmerr pafund.
Nëna që mori këtë vendim, nuk ishte e çmendur, por e dhunuar, e poshtëruar, e pashpresë dhe e tmerruar, për jetën e fëmijëve të saj. Luanët shpesh, i hanë këlyshët e tyre, kurse luaneshat i ushqejnë me gjakun e tyre për t’i rritur dhe nuk ka gjë që nuk bëjnë, deri në vetëflijim.
Ndaj, dhunuesi ka qenë me fat, sepse nëna e mjerë nuk kishte një… kallash! Nëse do kishte një armë, të jeni të sigurt, se një tragjedi tjetër më e madhe do ndodhte, se ajo e Selenicës. Burri pa çati, të afërmit e tij do ishin viktimat e radhës dhe në fund, nëna do sakrifikonte dy jetë fëminore dhe veten, për t’u larguar nga kjo botë e mallkuar dhe e shpërfillur me njolla gjaku të mpiksur nën lëkurë.
Por, patën “fat” dhe tani mallëngjeheni, se shpëtuan dy fëmijë, duke i ndarë nga nëna… “kriminele”. Nuk ka nënë kriminele, nëna është gjithçka për pjellat e saj, por ka shoqëri të kriminalizuar deri në palcë!
OJQ në mbrojtje të grave, nëse nuk paguheni për të mbrojtur “burrat”: Zgjohuni! Mbroni të paktën një grua të vetme… një nënë të dhunuar, që tashmë duhet të përballet me drejtësinë… për një çati.
Desh Zoti, e nuk i’u gjend në dorë ajo që gjendet në çdo haur fshati… kallashi, se sot, ju, ne, e çdo qytetarë, do shikonte lule mbi varrin e fajtorit dhe të të pafajshmëve dhe të gjithë do çuditeshit… përse?! Çudia dhe pse-ja do merrnin fund, atëherë kur dhunuesi të përfundonte me hekura në duar, nga drejtësia… e drejtë!/Ekskluzive.al