Të gjithë e dëgjuan mbrëmë Monika Kryemadhin gruan e Presidentit të Republikës Ilir Meta të kërcënonte me tërheqje zvarrë kryeministrin. S’ka rëndësi kush është kryeministër, por u kërcënua kreu i qeverisë legjitime të vendit. Theksojmë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, pasi do s’do Monika sot për sot figuron bashkëshorte e Ilir Metës dhe pavarësisht ‘distancimeve’ publike nuk mund ta zhbëjë atë që është gruaja e kreut të shtetit. Dhe ka ca norma në deklarimet publike, pasi nga ky status të kërcënosh kreun e qeverisë nuk është as më pak dhe as më shumë por një kërcënim për grusht shteti. Shqipëria është republikë parlamentare, dhe rrëzimi me dhunë i kryeministrit që vjen nga një shumicë parlamentare cilësohet grusht i kulluar shteti.
Kërcënimi për rrëzimin e tij është një paralajmërim për grusht shteti. E themi këtë sepse Presidentin e Republikës, Kushtetuta e ngarkon me shumë detyra të rëndësishme. Pasi Presidenti në Shqipëri është dhe komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës dhe vetëm me urdhër të tij ushtria dhe armatimi dalin nga kazerma. Pra ka në dorë ushtrinë dhe mjetet ushtarake, nga më të lehtat e deri më të rëndat, nga toka, deti dhe ajri. Dhe gruaja e tij Monika Kryemadhi mbrëmë deklaroi as më pak dhe as më shumë por se do të tërhiqte zvarrë kryeministrin e vendit më 27 janar. Pikërisht gruaja e Komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës kërcënon kryeministrin e vendit se do ta tërheqë zvarrë. Madje Kryemadhi ka sjellë referenca nga historia si paralajmërim për kryeministrin. Një herë Esat Pashë Toptanin, dhe më pas Enver Hoxhën.
“Sot më shumë se kurrë duhet të zgjohemi nga apatia sepse e ndiejmë të gjithë që jemi më të varfër. Nëse nënshtrohemi do jetë gjumi i vdekjes sepse të gjithë do të ikin nga Shqipëria. Ashtu si në vitet 1990 ku të rinjtë tërhoqën zvarrë bustin e diktatorit Enver Hoxha, kështu edhe ne të bëhemi bashkë për ta tërhequr zvarrë për së gjalli këtë kryeministër që po shkatërron Shqipërinë”, tha dje Monika Kryemadhi nga Berati.
Lajmi u botua në të gjitha mediat. Eshtë gruaja e Presidentit, pavarësisht se thotë se është vetëm kryetare e LSI në opozitë. Kërcënimi implikon në çdo rast edhe presidentin e Republikës, nga familja e të cilit po dalin të tilla mesazhe kërcënuese për grusht shteti në prag të protestës së opozitës përballë zyrës së kryeministrit. Pas kësaj deklarate të gruas së Presidentit për grusht shteti, më e pakta që duhej të kishte ndodhur do të ishte që Kryeprokurorja Arta Marku sot ta kishte thirrur Monikën për të dhënë shpjegime, ose për ta marrë nën hetim. Pasi deklarata bëhet në prag të një proteste e cila i kalon kufinjtë kombëtarë si e drejtuar kundër qeverisë.
Ajo është një protestë anti-amerikane dhe anti-evropiane. Dhe të shtohet dhe një dozë e tillë kërcënimi për grusht shteti nga gruaja e Presidentit, për më tepër është shumë e rrezikshme. Duhej që organet ligjzbatuese të kishin kryer detyrën. Ndoshta dhe nuk e kanë marrë seriozisht se Mona kaq di dhe kaq bën, është histerike por e padëmshme pasi ndoshta dhe mosha në kapërcyell ndikon, kjo nuk është puna e shqiptarëve.
Në një shtet serioz organet ligjzbatuese duhet të marrin seriozisht çdo kërcënim ndaj stabilitetit të vendit. Aq më tepër kur gruaja e Presidentit njëherësh komandant i përgjithshëm i FA kërcënon me grusht shteti./Pamfleti.com