Detaje të reja hetimore dalin në dritë mbi grupin kriminal shqiptaro-rumun që merrej me shfrytëzim prostitucioni. Pesë persona janë arrestuar që prej nisjes së hetimeve, ndërsa në total janë 14 vetë nën hetim.
Silvia Cascino, drejtuese në policinë e Lucca-s, tregon se ka pasur raste kur prindërit shisnin vajzat te organizata kriminale. “Kemi dëgjuar një prind që autorizonte shfrytëzuesin ti ‘thyente një dorë’ vajzës së tij nëse ajo rebelohej”, citohet drejtuesja e policisë italiane nga mediat italiane.
Femrat, kryesisht rumune (por ishte edhe një maqedonase), bliheshin në vendet e tyre të origjinës, ndonjëherë me çmimin e një makine.
Ndër bisedat e përgjuara është edhe një mes një prej preve të trafikut, e cila i ankohej të atit se ai e kishte shitur “me çmimin e një makine”.
Në pranga me urdhër të firmosur nga gjykata kanë përfunduar Dashnor Ilmica, 31 vjeç (shqiptar), i arrestuar 14 Korrikun e shkuar në provincën e Rovigo-s; Gentian Bregu, 35 vjeç (shqiptar), Romeo Costel Iordache (rumun) 28 vjeç; Idriz Merdita (shqiptar) 28 vjeç, i dëbuar më pas nga territori italian me irdhër të autoriteteve atje. Në arrest shtëpiak është vënë italiania 33 vjeçe Pamela Balsamo.
Romeo Costel Iordache e Gentian Bregu cilësohen nga hetuesit si “kokat” e grupit.
Të gjithë në Viareggio (komunë në Itali) prej kohësh, nënvizoi shefi i policisë së Lucca-s, Vito Montaruli. “Kuptohet se ishin persona që kontrollonin territorin për llogari të bandës”, shton.
Grupi ishte i specializuar në shfrytëzimin e prostitucionit, aktivitet që zhvillohej më shumë në zonën Torre del Lago në Viareggio, e që përfshinte vajza mes 20 dhe 40 vjeçe (në rrugë por edhe banesa), por edhe në vjedhje, shpërndarje kokaine, zhvatje, grabitje, favorizim të emigracionit të paligjshëm.
Hetimi nis pas 5 qershorit 2017, pas një zjarrëvënie me autor pjesëtarë të grupit kriminal, e që çoi më pas në zbulimin e aktiviteteve të tjera kriminale./Opinion.al