Bandat e drogës të kontrolluara nga kriminelët e Europës Lindore po nxisin valën në rritje të krimeve të dhunshme në Londër, ka pretenduar një deputet i Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe.
David Lammy, në një intervistë për “BBC Radio”, bëri një krahasim për të treguar situatën e rëndë të krimit në Britani.
Sipas tij, “të blesh drogë është njësoj si të porosisësh pica. Ju mund t’i porosisni në Snapchat, WhatsApp. Fëmijët e moshës 12-vjeçare po rekrutohen nga bandat për të shitur drogë“, tha ai.
“Mendoj se policia dhe vendi ynë e ka humbur kontrollin në tregun e drogës”, u shpreh Lammy.
I pyetur se kush fshihet pas këtij aktiviteti kriminal, ai tha: “Nga burimet policore kam dijeni se janë banda të mëdha, nga Evropa Lindore, shqiptarët. Ata trafikojnë njerëz, trafikojnë drogë dhe trafikojnë armë”.
Deputeti akuzon qeverinë britanike se nuk po bën asgjë për të rregulluar situatën.