Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, një nga nëndegët më të korruptuara të qeverisë si dhe objekt i arrestimeve masive nga SPAK, vijon të finalizojë vetëm tendera të dyshimtë dhe paradoksalë.
Në 17 prill 2022, Endri Mullai ka firmosur një tender me vlerë 1 milionë USD për kompaninë Agro-Koni, për blerje futa dhe perime. Mullai pasoi në krye të Agjencisë Edlira Naqellari e dënuar për korrupsion me tendera.
Endri Mullai tejkaloi shumë shpejt Naqellarin, duke ndarë miliona euro me anëtarin e bandës së Talo Çelës, Gentian Sharra si dhe më të dënuarin për korrupsion me tendera Njazi Prençin.
Sipas burimeve, tenderi për Agro-Konin është paracaktuar, por dyshimet shtohen pasi oferta e kësaj kompanie duket anomalish e ulët, 1 milionë USD nga rreth 1.7 milionë USD që ishte fondi limit.
Nga gara janë përjashtuar 4 kompani me përvojë në tregtimin dhe furnizimin me fruta-perime.
Kompania Agro-Koni me pronar në letra agronomin Ruzhdi Koni ka nisur të shfaqet në mekanizimin okult të tenderave pas një tërheqje të Njazi Prençit, hajdutit legjendar me tendera në Shqipëri, i dënuar për korrupsion me tendera.
A fshihet Njazi Prençi edhe pas kompanisë Agro-Koni, pasi tre kompanive të Prençit u ka dalë boja me tendera dhe pritet të jenë objekt goditje nga SPAK? Për këtë do të flasim në vijim.
Po kush është Njazi Prençi?
Njazi Prençi është dënuar 4 vite më parë me dy vite burg për vjedhjen e 80 milionë lekëve me një tender me vlerë 200 milionë lekë, me ish kryetarin e Bashkisë së Krujës.
Sipas dosjes vjedhja është kryer përmes kompanisë REGLI Shpk me pronar Njazi Prençin.
REGLI Shpk vijon të marrë tendera me paracaktim dhe korruptivë.
Në shtator të vitit 2019, Njazi Prençi mori 590 milionë lekë për të rikonstruktuar shkollën 9-vjeçare ‘Ramazan Jangozi’ në Thumanë, pasi ishte dëmtuar nga tërmeti i vitit 2018.
Edhe pse kishte dy muaj që ishte rikonstruktuar, shkolla u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Edhe me shkollën, Njazi Prençi, kishte mashtruar si me përroin e Krujës, por këtë radhë nxori në skenë edhe të bijën, të cilën po e stërviste për lojën e tenderave.
Fillimisht mori tenderin në mënyrë korruptive, me ofertë sa fondi limit. Më pasi bëri sikur ndërhyri dhe futi paratë në xhep.
Nëse fëmijët do të ishin brenda, korrupsioni i Njazi Prençit me gjoja rikonstruksionin, do të ishte një katastrofë njerëzore.
Tendera i biri Gentian Prençi
Njazi Prençi kontrollon edhe kompaninë famëkeqe të korrupsionit me tendera, M.C.CATERING, themeluar në vitin 2007.
Nga një kompani për organizim dasmash, M.C.CATERING u kthye në një kompani që po merr tenderat kryesorë për furnizim me mish, bylmet dhe ushqime institucionet publike.
Administratori dhe pronari në letra i kësaj kompanie është Gentjan Prençi, një çunak 29 vjeçar, që është i biri i Njazi Prençit.
Në janar të vitit 2012, Njaziu ia dhuroi kompaninë të birit, i cili po ecën në gjurmët e babait, duke mbushur xhepat me paratë e shqiptarëve, në bashkëpunim me zyrtarët sekserë të babait.
Me Njaziun në prapaskenë dhe Gentjanin në skenë, M.C.CATERING ka arritur të marrë deri më tani mbi 130 tendera me vlerë miliona euro, në mënyrë klienteliste, me ofertë sa fondi limit dhe duke nxjerrë jashtë loje kompanitë me ofertë më të ulët.
Qendrat e korrupsionit të çunakut 28-vjeçar janë Bashkia e Gjirokastrës, Bashkia e Krujës, Bashkia e Tiranës, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, Bashkia e Durrësit dhe sigurisht Bashkia e Kukësit, e cila drejtohet nga Safet Gjici, i njohur edhe si Gjici i Mishit.
Kujtojmë se sipas të gjitha raporteve vendase dhe ndërkombëtare, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara është qendra më e madhe e vjedhjes së parave publike në Shqipëri, përmes tenderave korruptivë.
Tendera e bija Eglantina Prençi
E bija e Njazi Prençit, Eglantina Prençi, është pronare e kompanisë “EAGLE CONS (ish EGLENTI dhe ish 2-Binjakët), të cilën e ka themeluar vetë, por që fiton tendera korruptivë sidomos nga drejtoria Rajonale e Kujdesit Shëndetësor Tiranë me në krye Bora Salaj, falë lidhjeve korruptive të babait Njazi Prençi, i njohur edhe si ‘ujku i vjetër i korrupsionit’.
Në disa raste, Njaziu bashkë me të birin dhe të bijën bashkojnë kompanitë dhe marrin tendera, në shkelje flagrante të ligjit.
Lidhje me Safet Gjicin
Klani korruptiv Prençi, ku përfshihet Njaziu, Gentjani dhe Eglantina, kanë lidhje klienteliste dhe familjare me kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, një nga zyrtarët më të korruptuar dhe të babëzitur në Shqipëri, i njohur ndryshe edhe si Gjici i ‘Mishit’.
Në fakt pas talljes në rrjetet sociale ‘mishi, mirë?”, fshihet një histori shumë serioze korrupsioni.
Kompania e parë e Njazi Prençit, me të cilën vodhi 80 milionë lekë dhe u dënua bashkë me ish-kryebashkiakun e Krujës, është themeluar në fakt nga një kushëri i afërt i Safetit nga Bushtrica, i cili është edhe daja i dy fëmijëve të Njazi Prençit, që sot po bëjnë kërdinë me tendera korruptivë.